E Diel, 1 Nëntor 2026

“Green Lanes”, avancon bashkëpunimi doganor me Greqinë

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Administrata Doganore Shqiptare zhvilloi në Athinë takim teknik dypalësh me palën greke, në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Mirëkuptimit dhe thellimit të bashkëpunimit për lehtësimin e procedurave kufitare.

Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të administratave doganore të të dy vendeve dhe të CEFTA, në vijim të nismës “Green Lanes”, që synon përshpejtimin e lëvizjes së mallrave dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishte avancimi i zbatimit të Memorandumit të Mirëkuptimit të finalizuar në dhjetor 2025, i cili parashikon shkëmbimin paraprak të të dhënave ndërmjet palëve, me synim përshpejtimin e procedurave doganore dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me statusin aktual të zbatimit të marrëveshjes dhe objektivat e saj, procedurat operacionale për shkëmbimin e të dhënave, si dhe përdorimin e sistemit SEED në funksion të kontrollit dhe bashkëpunimit doganor.

Po ashtu, diskutimet u përqendruan në integrimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe ndërlidhjen e komunikimit ndërinstitucional, si dhe në përdorimin praktik të sistemit SEED në zyrat doganore lokale, përfshirë pikat kufitare.

Sipas Bejës, kjo marrëveshje përbën një hap konkret drejt modernizimit të bashkëpunimit doganor mes dy vendeve, duke përshpejtuar procedurat kufitare dhe duke i përafruar ato me standardet e Bashkimi Evropian, në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›