E Hënë, 2 Nëntor 2026

HANOI – Vietnami regjistron më shumë se një metër reshje shiu në një ditë të vetme

HANOI, 28 tetor /ATSH-AFP/ – Vietnami regjistroi më shumë se një metër reshje në 24 orë duke tejkaluar rekordin e mëparshëm kombëtar të vendosur në vitin 1999, njoftoi sot Ministria e Mjedisit.

”Gjatë periudhës 24-orëshe nga e diela deri të hënën, tre stacione vëzhgimi matën 1,7 metra, 1,1 metra dhe më shumë se një metër shi në Hue”, deklaroi ministria.

Rekordi i mëparshëm, 99 centimetra, u vendos gjithashtu në këtë qytet ish-perandorak, ku gjenden disa monumente të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Shira të rrëmbyeshëm kanë rënë në pjesën qendrore të vendit që nga fundjava e kaluar duke çuar në mbylljen e shkollave.

”Më shumë se 8 600 persona në katër rajone u evakuan duke filluar nga e shtuna për shkak të rrezikut të përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të tokës”, sipas ministrisë.

Shkencëtarët thonë se ngrohja globale e shkaktuar nga aktiviteti njerëzor po i bën fenomenet meteorologjike ekstreme më të shpeshta, më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese.

Ata paralajmërojnë se për çdo gradë shtesë (të temperaturës), atmosfera mund të mbajë 7,5 për qind më shumë lagështi./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›