HELSINKI – Finlanda kundër borxhit të përbashkët të BE-së

HELSINKI, 19 shtator /ATSH/ – Finlanda është shprehur kundër një propozimi të Komisionit Europian që Bashkimi Europian të ketë mundësi të marrë më shumë borxh të përbashkët, deklaroi sot ministrja e Financave, Riikka Purra, sipas “Reuters”.
Komisioni ka propozuar që buxheti për vitet 2028-2034 të përfshijë një opsion për huamarrje të përbashkët në rast emergjence.
“Ne nuk jemi thjesht kritikë, por kundër. Finlanda është e gatshme t’i rrëzojë këto propozime edhe e vetme”, shkroi Purra në platformën X.
Disa vende të BE-së kanë argumentuar se borxhi i përbashkët do të mundësonte financime me kosto më të ulët, por Gjermania, Holanda dhe Suedia janë shprehur kundër, ndërsa Danimarka ka mbajtur qëndrim skeptik.
Miratimi i buxhetit të ri të BE-së kërkon konsensusin e të 27 vendeve anëtare dhe miratimin nga Parlamenti Europian. /Ad.Ab./