HELSINKI – Parlamenti finlandez miraton kërkesën për testin e shtetësisë

HELSINKI, 11 qershor /ATSH-AA/ – Parlamenti i Finlandës ka miratuar një ligj që vendos kërkesën për një test të shtetësisë.
Siç raporton transmetuesi publik Yle, votimi i zhvilluar dje u miratua me 153 vota pro dhe 21 kundër, ndërsa 25 deputetë raportohet se munguan. Ligji pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027.
Pas hyrjes së ligjit në fuqi, aplikantët për shtetësi finlandeze do të duhet të kalojnë testin në njërën nga dy gjuhët zyrtare të vendit, finlandisht ose suedisht.
Sipas raportimeve, testi do të përfshijë tema si historia dhe kultura finlandeze si dhe të drejtat e njeriut dhe barazia. Detaje të mëtejshme mbi testin ende nuk janë bërë publike.
Qeveria e kryeministrit Petteri Orpo filloi punën për hartimin e testit vitin e kaluar dhe kohët e fundit ka ndërmarrë edhe reforma të tjera ligjore në lidhje me emigracionin, azilkërkuesit dhe përshpejtimin e procedurave të dëbimit. /os/