E Hënë, 2 Nëntor 2026

HUNGARI – Orban do të takohet me Trump për të diskutuar sanksionet e SHBA-së ndaj naftës ruse

NJU JORK, 27 tetor /ATSH/- Kryeministri hungarez, Viktor Orban tha se do të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump për të mbrojtur Hungarinë nga ndikimi i sanksioneve të SHBA-së ndaj naftës ruse, sipas “Bloomberg”.

Hungaria varet nga Moska për pjesën më të madhe të importeve të saj të naftës dhe gazit. Ndryshe nga shumë vende fqinjë të saj të Bashkimit Evropian, të cilët kanë punuar për të ulur varësinë nga gazi rus pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022, Hungaria që atëherë ka rritur blerjet e saj.

Kjo varësi tani mund të përbëjë një rrezik për sigurinë energjetike për Hungarinë, pasi SHBA-ja javën e kaluar sanksionoi prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi në një përpjekje për të sjellë presidentin Vladimir Putin në tryezën e negociatave për luftën në Ukrainë.

BE vendosi gjithashtu një ndalim të plotë transaksionesh për dy kompanitë e mëdha ruse të naftës, Rosneft PJSC dhe Gazprom Neft PJSC, përfshirë ndalimin e importeve të LNG-së duke filluar nga viti 2027.

“Së shpejti do të jem në Uashington për ta diskutuar këtë me presidentin Trump”, tha sot Orban në një intervistë për “La Repubblica” gjatë një vizite në Romë.

“Do të përpiqemi të gjejmë një rrugëdalje, veçanërisht për Hungarinë”, shtoi ai.

“Trump dhe Orban kanë planifikuar të takohen në Uashington javën e ardhshme”, u tha sot gazetarëve ministri i Jashtëm Peter Szijjarto, pa dhënë një datë të saktë.

Qeveria e Hungarisë është përpjekur të bindë administratën amerikane se statusi i saj pa dalje në det nuk i lë zgjidhje tjetër veçse të mbështetet te nafta ruse – pavarësisht një tubacioni alternativ nafte që lidh Hungarinë me detin Adriatik nëpërmjet Kroacisë.

Megjithatë, Trump, i cili ka lidhje të ngushta me Orban, ka filluar ta pranojë argumentin e udhëheqësit hungarez gjatë javëve të fundit.

Por, është e paqartë se ku qëndron administrata amerikane pas vendosjes së sanksioneve të naftës ndaj Rusisë, javën e kaluar dhe pasi një diplomat i lartë amerikan gjatë fundjavës hodhi poshtë në mënyrë të qartë argumentin e Budapestit se nuk kishte alternativa.

“Hungaria, ndryshe nga shumë fqinjë të saj, nuk ka bërë asnjë plan ose nuk ka ndërmarrë asnjë hap aktiv për të ulur importet e energjisë ruse”, tha dje ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, në një intervistë për “Fox News”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me ta dhe do të punojmë me fqinjët e tyre si Kroacia dhe vende të tjera që mund t’i ndihmojnë ata të heqin dorë nga kjo energji”, shtoi ai.

Qeveria në Budapest tha se kishte nevojë për energjinë ruse për të mbajtur nën kontroll çmimet e energjisë për familjet, veçanërisht para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm – në të cilat partia e Orban është pas një lëvizjeje opozitare në rritje dhe me një krizë të kostos së jetesës që kryeson shqetësimet e votuesve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›