Hagë, Duncan: Asnjë provë që UÇK-ja të ketë patur praktikë spastrimin etnik të serbëve

PRISHTINË, 23 shtator /ATSH/ Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, po vazhdon edhe sot, më 23 shtator, dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë. Në ditën e dytë të dëshmisë së tij ai u përgjigj në pyetjet e Prokurorisë, pyetjet shtesë të mbrojtjes dhe po vazhdon të intervistohet nga trupi gjykues.
Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, tha se në Kosovë nuk kishte ushtri të organizuar.
“Në Kosovë nuk ekzistonte një ushtri e organizuar, por pavarësisht saj, pjesa e organizuar ose pjesa e vetme në aspektin realist që qëndronte pas qeverisë së vetëshpallur, ishte krahu ushtarak, dhe ne e shpërbëmë këtë, ne përmbushëm aspiratat e tyre dhe e kuptuan që ishte në interesin e tyre të bëhej një gjë e tillë. Duke e bërë këtë në mënyrë të suksesshme ne i bindëm ata që të realizonin ata që donim ne, që ishte çarmatimi”, tha ai.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Bratthe, dëshmitari tha se situata pas 21 qershorit në Kosovë nuk ishte situatë luftimesh por më tepër “shqetësime civile që shfaqeshin”.
“Serbia kishte një arkitekturë të plotë shtetërore, pra kishte instanca, kishte shërbim publik, shërbim policor, kishte ministri të drejtësisë, ndërkohë që në rastin e qeverisë së përkohshme të Kosovës nuk kishin asnjë infrastrukturë mbështetëse, as ligjërisht, as praktikisht. Ky ishte problem kryesor, dhe problem tjetër ishte që nuk ekzistonte një strukturë që mund të vinte në jetë, që mund të zbatonte udhëzimet, sepse zotëri Thaçi mund të jepte një udhëzim por nga ana tjetër nuk kishte legjitimitet demokratik, shteti që ai pretendonte të përfaqësonte nuk ekzistonte në fakt, nuk kishte shërbim publik, nuk njihej nga askush, kishte kufizim gjeografik, kaq kishte, asgjë tjetër”, tha ai.
Në këtë seancë u paraqit një deklaratë e mëparshme e ish-komandantin të KFOR-it në Kosovë, gjenerali Mike Jackson, e dhënë në Londër. Avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, e citoi të ketë thënë se nuk ka prova që UÇK-ja ka kryer dhunë ndaj serbëve.
Pjesë nga seanca:
Mbrojtja: Gjenerali Jackson thotë po ju them që nuk kam prova që nga pikëpamja institucionale UÇK-ja të ketë pasur praktikë të spastrimit etnik të serbëve që kishin mbetur aty. Pajtoheni me vlerësimin e tij?
Duncan: Po, pajtohem.
Mbrojtja: Për aq sa keni dijeni, a i ka raportuar ndonjëherë gjenerali Jackson komandës së NATO-s se Hashim Thaçi ka drejtuar apo ka kryer akte dhune ndaj civilëve?
Duncan: Jo, me sa jam unë në dijeni.
Paraprakisht, për disa minuta, pyetje për Duncan shtroi edhe mbrojtja e Rexhep Selimit, por në seancë private.
Dëshmitari britanik pyetet për Veselin: Ishte person me funksion të lartë në zbulim
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshmia e ish-diplomatit britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai përsëriti se nuk ka pasur dëshmi për dhunë të organizuar nga shqiptarët menjëherë pas luftës në Kosovë.
Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, u intervista të martën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e pyeti atë për disa persona. Dëshmitari tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve të zonave.
Gjatë paraqitjes në ekran të disa fotografive, prokurori Matthew Halling e shfaqi edhe një të Kadri Veselit. Britaniku tha se nuk ia dinte emrin por e dinte se ishte person me funksion të lartë në zbulim.
Pjesë nga seanca:
Duncan: Është me sa më kujtohet një nga njerëzit me funksion të lartë, në funksionin policor dhe të zbulimit.
Prokurori: Si e dini një gjë të tillë?
Duncan: Nuk ua them dot.
Prokurori: Nëse do të them që ky është Kadri Veseli, a ke arsye për ta kundërshtuar?
Duncan: Nuk kam arsye për ta kundërshtuar.
Prokurori e pyeti atë edhe për Xhavit Halitin, për të cilin dëshmitari tha se ishte person me interes të veçantë por për këtë ai vazhdoi të përgjigjej në seancë private.
Fotografitë që nxori prokuroria në ekran ishin nga një video e takimit që ishte mbajtur në mes të qershorit 1999, ku kishte marrë pjesë edhe vetë ish-këshilltari i Wesley Clark.
Gjatë paradites, seanca kaloi disa herë në sesion privat.
Dëshmitari, ndër të tjera tha se nuk i kujtohen emrat e të gjithë komandantëve
“Ju po më pyesni nëse mund të identifikoj individë, nuk isha atje për të thënë a i kemi të gjithë komandantët e zonave këtu. Ceku na kishte thënë që duhej të ishin të pranishëm komandantët e zonave, kaq më tha, pra unë kam menduar që ai kishte sjell të gjithë komandantët, nëse nuk i kishte sjell do të më thoshte që nuk është këtu njëri prej komandantëve të zonave”, tha ai duke folur për takimin e qershorit që e kishte zhvilluar me UÇK-në në vitin 1999.
Dëshmitari u pyet edhe për situatën menjëherë pas luftës në Kosovë dhe ai sërish theksoi se nuk ka pasur dëshmi që shqiptarët kanë kryer dhunë të organizuar.
“Ne nuk kemi pasur dëshmi se ka qenë dhunë e organizuar”, tha ish-diplomati britanik.
Të hënën, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i cili gjatë viteve ’90 ishte këshilltar politik i Wesley Clark, komandantit të atëhershëm të NATO-s, në fillim të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, foli për rolin e tij në Kosovë. Ai tha se detyra e tij ishte ta informonte Clarkun – gjeneralin që udhëhoqi fushatën bombarduese kundër caqeve serbe në vitin 1999.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai tha se se nuk ka parë komunikata të UÇK-së ku të jenë përmendur ekzekutime. Gjithashtu, theksoi se nuk ka pasur dëshmi se ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm sipas pikëpamjeve ushtarake.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit të hënën, ai tha se Thaçi shihej si politikan dhe jo komandant i UÇK-së.
“Asnjëherë nuk e kam parë të jepte direktiva apo urdhra, ishte qartë që kishim të bënim me dy lloj njerëzish, e para, kishim të bënim me ushtarakun apo oficerin e nivelit të lartë, dhe e dyta ishte politikani. Kjo ishte përshtypja që më është krijuar mua”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se UÇK-ja nuk kishte strukturë hierarkike.
Dëshmia e tij vjen pasi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u dëgjua ish-ndihmëssekretari amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në negociatat në Rambuje, Paul Williams.
Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi një javë më parë, më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.
/Kosovapress/