Hapen aplikimet për marrjen e kopjes së testit të Maturës Shtetërore

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) njoftoi sot se aplikimet për shërbimin “kopje e testit/fletëpërgjigjes së Maturës Shtetërore” do të jenë të hapura më 30 qershor 2026, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.
Shërbimi elektronik u mundëson maturantëve të kërkojnë online kopjen e testit ose të fletëpërgjigjes së provimeve të Maturës Shtetërore, pa qenë e nevojshme paraqitja fizike në institucionet përgjegjëse”.
AKSHI, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA), ka realizuar që të gjitha shërbimet që lidhen me Maturën Shtetërore të jenë digjitalizuar, me synimin për ta bërë procesin më të thjeshtë dhe më efikas për maturantët.
Për të përfituar shërbimin, aplikantët duhet të hyjnë në portalin e-Albania, të zgjedhin shërbimin “aplikim për kopje të testit të maturës/fletëpërgjigjes së maturës”, të klikojnë “përdor”, të plotësojnë formularin elektronik dhe të dërgojnë kërkesën.
Pas shqyrtimit nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, kopja e testit ose e fletëpërgjigjes do të vendoset te seksioni “dokumentet e mia” në e-Albania, ndërsa aplikanti do të njoftohet edhe në adresën e tij elektronike.
Shërbimi ofrohet pa pagesë dhe nuk kërkon paraqitjen e dokumentacionit shoqërues.
/e.i/a.f/r.e/