29 mijë nxënës të klasave të nënta përfunduan provimet kombëtare të arsimit bazë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Rreth 29 mijë nxënës të klasave të nënta përfunduan sot provimet kombëtare të arsimit bazë, duke mbyllur ciklin nëntëvjeçar të arsimit dhe një etapë të rëndësishme të formimit të tyre.
Sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro provimi i fundit u zhvillua në një atmosferë të qetë, të rregullt dhe me standardet e kërkuara, duke përmbyllur me sukses procesin e provimeve kombëtare të arsimit bazë për këtë vit.
Ministrja Kumbaro u uroi suksese të gjithë nxënësve në rrugëtimin e tyre të ri, si në arsimin e mesëm të lartë, ashtu edhe në arsimin profesional, duke i inkurajuar të vijojnë me përkushtim dhe besim në rrugën e dijes.
Provimi i Gjuhës Shqipe u zhvillua më 19 qershor, Gjuha Amëtare për nxënësit e pakicave kombëtare më 22 qershor, Matematika më 25 qershor dhe Gjuha e huaj më 30 qershor.
Nxënësit me aftësi të kufizuar që ndjekin shkollat e zakonshme, i zhvilluan provimet kombëtare të arsimit bazë, sipas përcaktimeve në rregulloren për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë.
/e.i/a.f/