Hapet për qarkullim segmenti Shalë-Theth

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Pas ndërhyrjeve intensive të kryera gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, tashmë është i mundur kalimi nga Guri i Mashës, njësia administrative Pult, deri në Theth, njësia administrative Shalë, në zonën e Dukagjinit.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci informoi se pastrimi i këtij segmenti rrugor është përfunduar, në një gjatësi prej rreth 32 km, ku janë angazhuar dy fadroma, duke rikthyer qarkullimin normal.
Rruga u bë e pakalueshme për shkak të inerteve të sjella nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Kryebashkiaku Beci, gjithashtu, bëri të ditur se nga dita e nesërme do të vijojnë ndërhyrjet edhe në degëzimin e fshatit Marknonaj, me shtimin e mjeteve të rënda në terren, për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aksit rrugor.
Punimet do të vazhdojnë deri në stabilizimin e plotë të situatës. /j.p/