E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Rruga Përmet-Çarshovë, e bllokuar për shkak të dëmtimit të karrexhatës

TIRANË, 8 janar/ATSH/ Qarkullimi i automjeteve është ndaluar në rrugën Përmet-Çarshovë, pranë vendit të quajtur “Ura e Petranit”, për shkak të çarjes së karrexhatës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha, bëri të ditur për ATSH-në se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

“Në terren ndodhen strukturat e Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe ndërhyrjen për rikthimin e normalitetit në këtë segment rrugor”, tha ajo.

Hoxha u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin kalimin në këtë rrugë deri në njoftim të mëtejshëm dhe të ndjekin informacionet zyrtare për zhvillimet.

Ky aks rrugor lidh dy njësi administrative të bashkisë Përmet, Petranin dhe Çarshovën, dhe ka rëndësi të veçantë pasi siguron lidhjen e Përmetit me Korçën. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›