Hetimet e SPAK për veprimtari kriminale, sekuestrohen pasuri në Durrës me vlerë 12 milionë euro

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Një numër i konsiderueshëm pasurish, me vlerë rreth 12 milionë euro, është sekuestruar në qytetin e Durrësit, si rezultat i hetimeve të përbashkëta mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokurorisë së Barit, Drejtorisë së Antimafias dhe me mbështetjen e EUROJUST.
Pasuritë e sekuestruara dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave, me veprimtari që shtrihet mes Shqipërisë dhe Italisë. Procedimi penal nr. 36/2019, në kuadër të të cilit janë regjistruar hetimet pasurore, përfshin 52 persona të dyshuar, 30 prej tyre në Shqipëri dhe 22 në Itali.
Gjykata e Posaçme ka miratuar dy vendime për sekuestrimin e pronave në muajin maj dhe qershor 2025, të cilat janë ekzekutuar nga hetuesit financiarë të SPAK dhe Policia e Shtetit. Pasuritë, që përfshijnë ndërtesa, njësi tregtare dhe truall, janë në pronësi të personave nën hetim ose të afërmve të tyre, dhe tashmë ndodhen nën administrimin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.
Sipas SPAK, hetimi ka përfshirë përdorimin e metodave të avancuara si përgjime telefonike dhe ambientale, regjistrime video, vëzhgime, analiza të komunikimeve të koduara në platformën SKY ECC, si dhe dëshmi nga tre bashkëpunëtorë të drejtësisë. Autoritetet kanë zbuluar se pagesat për blerjen e lëndëve narkotike kryheshin nga Italia drejt Shqipërisë përmes shoferëve të linjave ndërkombëtare të autobusëve. Vlera e transaksioneve të dokumentuara për drogat arrin në 4.5 milionë euro.
Po ashtu, është identifikuar transferimi i mbi 500 mijë dollarëve nga Shqipëria drejt Amerikës Latine si parapagim për një sasi prej 500 kilogramësh kokainë, që do të nisej nga porti i Guayaquil, në Ekuador.
Procedurat ndodhen aktualisht në fazën e hetimit paraprak, ndërsa autoritetet shqiptare dhe italiane po vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korruptive. /j.p/
1 nga 8