E Martë, 3 Nëntor 2026

Tentoi të largohej me makinë duke rrezikuar jetën e efektivëve, Policia neutralizon 26-vjeçarin në Lezhë

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Një 26-vjeçar është shoqëruar në komisariatin e Policisë së Lezhës pasi drejtonte makinën pa patentë si dhe tentoi të largohej me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Falë ndërhyrjes së policisë, drejtuesi i automjetit u neutralizua pa pasoja.

Policia njoftoi sot se “rreth orës 12:00, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”, shërbimet e Njësisë Operacionale për Sigurinë Rrugore dhe sigurinë e Autostradave, të caktuar me shërbim në Lezhë, i bënë shenjë për ndalim një automjeti që po kryente manovra të rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës”.

“Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., 26 vjeç, banues në Lezhë, pas verifikimeve, rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme. Në momentin e verifikimit të shkeljes dhe komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar këtë të fundit për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, drejtuesi i mjetit ka refuzuar t’i bindet urdhrave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente”, njoftoi Policia.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja është menaxhuar pa pasoja për jetën apo shëndetin e qytetarëve dhe punonjësve të policisë.

“Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. S., 20 vjeç, të dy banues në Lezhë, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””, bëri me dije Policia.

Policia një grup i posaçëm hetimor nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, po kryen të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe kushtet e përdorimit të armës së zjarrit nga efektivi i Policisë, për neutralizimin e drejtuesit të automjetit.

/m.q//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›