Hetimet për krimet zgjedhore, Prokuroria Gjirokastër regjistron dy procedime penale

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar dy procedime penale në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Prokuroria e Gjirokastrës njoftoi se “mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, u regjistrua procedimi penal për veprën “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, mbi bazën e kallëzimit të një prej anëtarëve të ZAZ Dropull, se mungonte vula e kësaj ZAZ-je”.
Sipas prokurorisë “në kuadër të këtij procedimi janë kryer veprimet e para procedurale dhe është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje”.
Po sot, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit E.S., ka regjistruar procedimin penal për veprën “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
“Nga të dhënat, rezulton se më datë 22 prill shtetasi E.S. ka kallëzuar faktin se shtetasi A.M e ka kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Kanosja ka ardhur si reagim i opinioneve që shtetasi E.S ka shprehur lidhur me një subjekt zgjedhor”, njoftoi prokuroria e Gjirokastrës.
Prokuroria e Gjirokastrës bëri me dije se “sipas kallëzimit, pretendohet se shtetasi A.M ka përdorur jo vetëm gjuhë kërcënuese por edhe imazhe intimiduese. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. /j.p/