E Diel, 1 Nëntor 2026

Himarjoti i korçares së bukur

Në historiografinë e artit shqiptar, pa dyshim një vend nderi zë edhe emri i Neço Mukos (Artist i Merituar) pas vdekjes. Jo vetëm si poet, kompozitor, më tej si këngëtar, dirigjent, por edhe si regjisor, jeta e tij shpalosi një talent të rrallë, pjellë e një kulturë zgjimi, ku koha në të cilën shpalosi këto vlera i dha atij shkëlqimin ngadhënjyes për të mbetur edhe sot në 108-vjetorin e lindjes e më tej akoma një etalon i artit shqiptar. Por fuqia e krijimtarisë së tij shpërtheu vrullshëm në atë kohë kur Shqipëria rropatej baltërave. Kur mbishpina e shqiptarit mbartte skamjen në çdo cep ku i thoshin Shqipëri. Lufta e Parë Botërore si në gjithë vendin solli më zi dhe uri të madhe, edhe aty në vendlindjen e tij, në Himarë. Shtëpia brenda në Kala, ku lindi më 21 tetor të vitit 1899, i falte shpirtit të tij pamje përrallore ku mëngjeset dhe mbrëmjet janë nga më mahnitëset e gjithë pellgut të Detit Mesdhe. Jo vetëm deti apo kalaja ku mjeshtërisht janë ndërtuar shtëpitë e banorëve aty, por edhe kodrat e malet Akrokeraune në krah e prapa shpine i mbushnin ditët e tij pak e nga pak me frymëzim për t‘u shpërfaqur më pas në vitet e adoleshencës më të dhëna e të jashtëzakonshme, që një artist i lindur i rrezaton ato kudo ku i jepet rasti. E kështu, me raste të përditshme, apo edhe të stisura, së bashku me shokët që e rrethonin, apo në gosti të ndryshme lartë në Kala, poshtë në Spile, në Vuno, Dhërmi, Palase, Pilur, Qeparo, Kudhës edhe më tej, kudo ku fisi dhe shoqëria e tij ishte shtrirë në gjithë gjeografinë e Himarës, zëri i Neços mbërthente dhe mbushte me kënaqësi zemrat e himarjotëve. Por jo vetëm të himarjotëve. Dyert e shtëpive të tyre ishin të hapura për miq dhe udhëtarë që rruga u binte nga Bregu apo për të bërë tregti. Sheshi i Kalasë së Himarës, por edhe anëdeti poshtë në Potam, Livadh apo në Spile, kumbonte mbrëmjeve nga zërat tejet melodioz të shokëve që e rrethonin ku si një magji vokali i tij dallohej mbi ta. Nxirrte një timbër të pa dëgjuar më parë edhe nga të moshuarit. I magjepste, i mbërthente dhe me kënaqësinë që u dhuronte, i madh dhe i vogël kërkonin të mos shkëputeshin prej tij nga kënaqësia që u falte.

Mësimet e para ai i mori në filloren e Himarës, ku mësoi shumë mirë shqipen, greqishten edhe gjuhën frënge. Bashkëmoshatarët e tij thoshin se ai ishte edhe një nxënës shumë i mirë. Kishte mjaft interes për lëndët. I ati i tij, Kristua, një rrobaqepës shumë i njohur i krahinës, bëri ç‘ishte e mundur dhe e dërgoi në Greqi për t‘i dhënë shkollë dhe zanat. Në këtë kohë, fillon edhe të krijojë më shumë vargje, të hedhë nota në pentagram e ta sjellë këngën polifonike të Himarës në zhbirime të tjera lartësuese pa prishur harmoninë karakteristike të saj. I larguar në Greqi, malli për Himarën dhe shokët e brente dhe kjo brengë e shtynte për të kërkuar më shumë krijimtari nga vetja. Dhe prej aty nisin të hidhen në letër vargje poetike të tilla që edhe vetë atë e befasonin nga bukuria e gjetjes, nga mënyra se si ato ngjisnin në atë ç‘ka vetë kënga himarjote kërkonte në melodinë e saj. I entuziazmuar nga këto krijime dëshironte që një orë e më parë t‘ua tregonte miqve dhe shokëve të tij aty në Greqi, por edhe të tjerëve në Himarë, ku kishte lënë tashmë një vakum shpirtëror. Mbrëmjet dhe netët e Neços në dhomën e tij ishin mjaft mbresëlënëse te miqtë që kishte pranë. Të tjerë që takoheshin më të nuk largoheshin pa ia marrë një këngë, ku sigurisht protagonist i saj ishte vet Neçua. E kështu, së bashku, ngopnin shpirtin me këngë për t‘i lënë vend pastaj një dite tjetër më të tjera befasi krijuese të tij.

Ndiqte rregullisht, por edhe i sforcuar, nga mospasja e të hollave të mjaftueshme mjaft shfaqje të karaktereve të ndryshme muzikore, apo të teatrit që shfaqeshin rëndom në Athinë a Pire. Kjo e mbushte më shumë me dëshira për të hedhur në letër imazhe të konceptuara nga një këndvështrim tejet artistik dhe të mbushur me domethënie mendësore, për këdo që e njihte apo e lexonte. Kjo është koha kur ai mësoi t‘i binte kitarës, violinës dhe mandolinës. Thellësisht i plotësuar tashmë si poet, këngëtar, libretist, kompozitor kërkonte që talentin e tij ta servirte me mjeshtëri dhe pa u nxituar pikërisht në zemër të Greqisë në Pire. Bashkëmoshatarë të tij tregonin vite të shkuara, se nuk arriti për arsye të hollash, që të paguajë trupën për të vënë në skenë një libret të menduar mirë, me çfarë kërkonte kjo gjini në kohën për të cilën bëhet fjalë. Por këtë dëshirë, ai e realizoi pak më vonë, në vitin 1929 në Sarandë, ku ngriti peshë me duartrokitje frenetike zemrat e sarandjotëve dhe të tjerëve, shokëve e miqve të tij të ardhur edhe nga Athina, Himara, Gjirokastra, që kishin marrë vesh për këtë shfaqe të paparë ndonjëherë. Pas kësaj varieteje të parë, të titulluar "Marrëzi e përgjithshme", ai sjell para publikut edhe dy variete të tjera me titull "Orsa-forca" dhe "Zonja shërbëtore". Net pa gjumë, ditë intensive pune, herë i ngopur me bukë, herë i pangopur, mendja e tij, shpirti i tij tërë qenia e tij ishin të përqendruar vetëm atje, te spektatori, destini i të cilit e kishte mbërthyer tashmë për t‘iu kushtuar më me patos e vrull krijimtarisë. Ato duartrokitje, ata sy që e vështronin kureshtarë dhe të etshëm teksa interpretonte aty në të ashtuquajturën skenë, e linin pa gjumë, siç edhe u shprehej miqve të tij.

Në vitin 1923, i gjendur në Himarë, u jep jetë krijimeve të tilla poetike si "Erdhi prilli shkriu bora maleve", "Vajzë e valëve", "Moj Katina nina-nina" e të tjera, të cilat në veçantinë e tyre të ngazëllejnë dhe pse jo shpirtërisht çuditesh se sa lart qëndrojnë në realizimin e tyre artistik.

A s‘jemi edhe sot të dëshiruar për të dëgjuar:

Hyri prilli shkriu bora maleve

Mbani vesh bie këmbora majave……etj.

Apo të lexojmë poezinë "Endrra që shuhen" ku hej sa bukur jep ndarjen e çiftit ku burri ikën në mërgim:

As bjerë buzën përsëri,

Në buzën time ngjite.

Se …iki, shkoj në shtegëti

U ndamë për jetë o shpirte…

Por rrufeshëm u shpërndan në popull vargjet madhore të "Vajzës së valëve". Vetëm një shpirt si i Neços do t‘i sillte polifonisë himarjote ngadhënjim. Ngadhënjim në varg, ngadhënjim në melodi. Vajza e valëve erdhi si një koncentrat mendimi për të shprehur një duf dhimbjeje në formë tejet të spikatur poetike. Të rinjtë iknin nga skamja. Iknin, iknin plagëshumë, larg, tutje detit, deri dhe pse jo në mes të Afrikës e më tej. Mbeteshin nënat, motrat, si kërcu me vështrim nga deti e prisnin, prisnin:

Vajz‘e valeve-zemra s‘ja mban

Mbi një gur n‘an të detit-qan e zeza qan.

Pret atë që pret - e njeë dhembje ndjen.

Gjithe bota vanë e vinë - po ai nuk vjen…

E kështu kalonin muajt e vite shumë, ku të paktë ishin ata që u kthyen. Të tjerë i hëngri dheu i huaj, minierave të Llavrios në Greqi në Sent-Etjen të Francës apo gjetkë nëpër botë:

Pranvera arin - një mëngjes të qetë

Vijnë e shkojnë dallandyshet - vajza u thëret

Ju të bukur zogj - tek ju kam një shpresë

Ju që shkoni det e male - dua t‘u pyes…

Ky është vargu i Neços, drithërues, befasues tejet i rrjedhshëm, plot ngjyra shprehjesh që të ngacmon, të bën për vete e s‘ndahesh dot prej tij.

Ëndërr e kishte të shkonte në Paris në qytetin e dritave siç e quante. E realizon udhëtimin me shumë vështirësi për arsye të të hollave. Por shumë shpejt, i zhgënjyer nga qëndrimi atje, pa mundur të siguronte jetesë normale për shkak të mosgjetjes punë, kthehet sërish në Himarë. Krijon së bashku me miqtë e tij një grup koral "Miqtë e dëfrimit" e më pas gazetën humoristike "Pif-Paf". E kësaj kohe është edhe poema satirike me mbi 80 strofa titulluar "Nga lindja në perëndim", një poemë shembull ku mendimi i tij edhe politik për kohën të befason nga forca e shprehjes dhe nga një gjykim i thellë dhe satirë së bashku. Shkruan, kompozon, sërish shkruan dhe kështu grupi i tij i këngës në përbërje të të cilit ishin zërat karakteristikë të J.Milos, P.Papingjit, K.Çakallit, A.Balës e P.Kokaveshit merr emër edhe më të madh, jo vetëm në Himarë. Më i mbushur tashmë me krijimtari, sërish kërkon shkuarjen në Paris me idenë e regjistrimit të tyre në disqe gramafoni. Impulsiviteti i tij, theksoj nga të thënat e bashkëkohësve, ishte i pranishëm nga zgjimi deri në fjetje i papërmbajtshëm. Katër orë gjumë më mjaftojnë u thoshte për të mbajtur shpirtin gjallë.

Viti 1929 e gjen sërish në Paris, kësaj here jo të vetëm, por me një pjesë të grupit. Magjia e këngës së tij, edhe aty në Paris, bëri për vete duke iu bashkuar grupit Tefta Tashkon, Dhimitër Rumbon, Llambi Turtullin, Kleo Georgen dhe Tula Paleologun, studentë të kantos në Francë. Një gjetje e shkëlqyer kjo zërash të mrekullueshëm të muzikës së kohës. Incizon në shtëpinë diskografike PATHE ajkën e këngëve të tij. Ai i dhuroi vendit disqet e arta të para në llojin e tyre, mbase edhe në Ballkan, por edhe më tej.

Neço Muko jetoi pak. Ai vdiq më 12 dhjetor të vitit 1934. Por ajo pak jetë e tij, 35 vite, ishte e mbushur me plot gjallëri, me punë, me dashuri. Ishte e mbushur me halle, derte e vuajtje. Forca e fjalës së krijimtarisë së tij është vetëm Neçoniane. Ajo është magjepsëse nga forca e të shprehurit. Ajo është e brishtë për nga delikatesa e të kënduarit. Ajo të ngop me thellësinë e mendimit. Ajo të mbetet pjesë e së përditshmes sonë, ku s‘ke se si të mos kalosh nëpër mend vargje të tij, poezie a këngë si p.sh. kënga:

"O moj Korçare sa e bukur je Me ato naze, porsi nuse e re…"

Ose këngën:

"Lule je, lule të thonë…" që breza e breza do t‘i kenë si etalon në gëzimet e tyre. Askush si ai nuk i dha Himarës në veçanti dhe Shqipërisë në të tërën, kaq lartësi artit në fillimet e shekullit të kaluar. Pak kush si ai diti të operojë me vargun që kaq bukur të tingëllojë me të gjitha ngjyrimet. Askush si ai nuk këndoi dhe shkroi në gjuhën e mrekullueshme shqipe, sikundër edhe në gjuhët e bukura greke, italiane apo frënge. Një shpirt si i Neço Mukos siç do të dashuronte Himarën me detin, malet, kalanë, "Katinën nina -nina", siç do të dashuronte Sarandën, Parisin, Korçën, Shkodrën, Korfuzin, Tiranën, njerëzit që e rrethonin, do të dashuronte më shumë akoma flamurin ku i këndoi kaq bukur ngritjes së tij në Vlorë. Neço Muko nuk kishte kufij në kuptimin simbolik të fjalës. Ai ishte "gjeneral" real i fjalës në përdorimin poetik të saj me plot muzikalitet.

Emri i tij u fshi nga krijimtaria skutave të diktaturës për të mbetur anonim në vite e vite. E pse!? Vetëm e vetëm se vëllai i tij, Koço Muko, një intelektual i shquar ishte ministër i Qeverisë së Mbretit Zog. Po ç‘rëndësi ka emri te vigani Neço. Ai mbeti në memorien e kombit shqiptar për ta kujtuar si trashëgimi të çmuar të kulturës sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›