Pushteti i moshës së tretë
"Mos i besoni askujt që i ka kaluar të 30-at", këndonin në vitin 1968 studentët e Universitetit Berkli të Kalifornisë, për t‘u dhënë udhë iluzioneve dhe anktheve të tyre. Nuk mund ta dinin se ujqit e vjetër e të pavdekshëm, që pas 40 vjetësh do të shtrëngonin në duar frerët e Amerikës, do të qenë pikërisht vetë ata. Ish të rinjtë që tani përbëjnë "brezin Z", banda e ultra gjashtëdhjetëvjeçarëve, shtatëdhjetëvjeçarëve e tetëdhjetëvjeçarëve, që nuk kanë fare ndër mend të zbresin nga shkallët e pushtetit. Shumë më tepër nga statistikat në Amerikë, si dhe në të gjitha vendet e zhvilluara që tregojnë për rritje të mesatares së jetëgjatësisë (thuajse një amerikan në tre që arrin moshën 65-vjeçare, mund të shpresojë të prekë pragun e të nëntëdhjetave), ajo çka angështon të rinjtë dhe entuziazmon të vjetrit është spektakli i "ujqve të hirtë" të pavdekshëm, padronët e politikës, të ekonomisë, të kulturës e të spektaklit. Madje kategoria e "të moshuarve" po zhduket nga leksiku amerikan, e zëvendësuar nga termi thuajse i përjetshëm, "madhor". Numërohen gjithnjë e më shumë të moshuar, megjithëse të moshuarit as që ekzistojnë më.
Jemi tashmë përtej kompleksit të famshëm që quhet "Piter Pan", ai që vërehej te dyzetvjeçarët e fiksuar pas veshjeve të modës e huqeve të adoleshencës. Të shtyrë përpara nga një uragan kimie, farmakologjie, kirurgjie, madhorët e avancuar në moshë po lëvrijnë në territore, në të cilat kohë më parë e kishin të ndaluar të vinin këmbë, madje ndonjëherë edhe t‘i zinin me gojë. Studimi i fundit masiv në shkallë kombëtare mbi seksualitetin, kryer 15 vite më parë nga Universiteti i Çikagos, i ndalte kërkimet në moshën 59-vjeçare, duke e konsideruar këtë moshë si kufirin e fundit të dashurisë fizike. Nuk ka asnjë dyshim se studimi i radhës duhet ta zgjerojë së tepërmi objektivin. Sipas studimeve të reja të kryera nga i njëjti universitet, 53% e njerëzve të përfshirë në moshat 65-74 vjeçare vazhdon të bëjë seks, ndërkohë që një tetëdhjetëvjeçar në katër provon ta bëjë, statistikë që ngjall tmerr te çdo bir apo bijë.
Cilido e konsideron Evropën si "kontinentin e vjetër" - siç e quajti zëvendëspresidenti Çenei, pa e vrarë mendjen për 66 vjetët që ka vetë mbi supe, katër infarktet dhe një operacion në zemër - ku brezat e rinj e kanë të vështirë t‘i bëjnë vend vetes, mund të hedhë një sy te emrat e kandidatëve të ardhshëm për në Shtëpinë e Bardhë.
Përjashto djalin e Çikagos, Barak Obama, praktikisht djalosh 46-vjeçar dhe rioshin 52-vjeçar (republikanin ish-guvernator) Majk Haëbi, formacioni që ka zbritur në fushë dominohet nga gjashtëdhjetëvjeçarë si: Hilari Klinton (60), Rud Xhuliani (63), Fred Tompson (65), apo shtatëdhjetëvjeçarë si Xhon MekKein (72). Rekordi i vendosur nga Ronald Regan, që deri vonë mendohej si i pathyeshëm, duke qenë se hyri në Shtëpinë e Bardhë në moshën 69-vjeçare, duket se nuk do të rezistojë gjatë.
Por nëse në politikë është disi e vështirë, bërja për vete e zemrave të zgjedhësve pas një farë moshe (të rinjve nuk para u pëlqejnë njerëzit që duan të duken të rinj falë operacioneve plastike), janë fushat e ekonomisë, financës e mediave, ku "brezi Z" ka ngulur flamurin një herë e mirë.
Australiani i amerikanizuar, Rupert Murdok, zotërues televizionesh, revistash e gazetash nga Italia në Oqeani në shkallë globale, për të festuar shtatëdhjetë vjetorin i dhuroi vetes të përditshmen ekonomike më prestigjioze në rruzull, "Wall Street Journal". Perandori i investimeve, Warren Bufet, i njohur ndryshe si orakulli i Omahës, luan nëpër bursat botërore një portofol që i kalon 300 miliardë dollarët në vit. Vetë zotëron 58 miliardë dollarë dhe pranon të hajë mëngjes me pasanikë evropianë, japonezë e kinezë, vetëm nëse këta e paguajnë 200 mijë dollarë, të cilat i dhuron më pas për bamirësi. Qesh teksa e tregon këtë, por përpara zyrës së tij shumë të vogël në Nebraska, milionerët rrinë në radhë.
Gjykatat dhe qendrat e asistencës raportojnë se fenomeni i meshkujve të moshuar seksualisht aktivë - në një terren ku dikur lëviznin vetëm individë krejt të veçantë si Pikaso, Çaplin apo Bertrand Rasell, sot vërehen një numër shumë i madh të moshuarish, shpesh të ndihmuar edhe nga viagrat - po prodhon brezin e fëmijëve të lindur nga prindër të moshuar. Jetimë të parakohshëm, të cilët nuk mund ta kenë përkrah për shumë kohë babanë biologjik. Me vetironi simpatike, Kris Dod, senatori 64-vjeçar, demokrat i Konektikatit, që ka një bijë 18-muajshe - edhe ky kandidat për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës - thotë: "Jam ndër të paktët burra në gjithë rruzullin që marr njëkohësisht katalogët e biberonëve dhe reklamat e ngjitëseve të protezave". Dhe me të vërtetë, brezi i "bijve të viagrës" po merr përmasat e një fenomeni demografik dhe shoqëror në shekullin XXI.
Duke qenë se ligji nuk lejon as shpronësimin apo zhveshjen nga pushteti financiar të miliarderëve si Bufet (i treti ndër më të pasurit e globit) dhe as daljen në pension të ligjvënësve të zgjedhur nga votat (nuk ekzistojnë limite mandatesh parlamentare në legjislacionin amerikan), të rinjtë dhe madhorët e rinj që e përkufizojnë veten si "djem", shpresojnë të çajnë në botën e komunikimit dhe të spektaklit. Por as këtu "ujqit e hirtë" nuk lëshojnë pe. Të mëdhenjtë e Hollivudit, ata që duken përjetësisht të rinj, tashmë i kanë lënë pas të gjashtëdhjetat, si Martin Skorseze, Stiven Spilberg, apo bashkëmoshatari i tij Xhorxh Lukas, ndërkohë që Frensis Ford Kopola është fare pranë të shtatëdhjetave.
Figura më e adhuruar është ajo e Klin Istvud, i cili ende vazhdon të drejtojë, të prodhojë e madje edhe të luajë (kompozon edhe muzikë) edhe pse është thuajse 77-vjeçar. Ndërkaq edhe seks simbole si Robert Redford (te të shtatëdhjetat) apo Riçard Gir (i brezit 1949) i kanë thënë jo pensionit. Mbrëmja e çmimeve "Oscar", ku kinemaja ndalet të përgëzojë vetveten, i ngjet gjithnjë e më shumë "festës së përvitshme të një azili pleqsh", tha pak kohë më parë komiku dhe prezantuesi Billi Kristal. 60-vjeçar është edhe prezantuesi satirist, shumë i adhuruar, Deivid Leterman, të cilin mosha nuk po e detyron të heqë dorë nga roli i djaloshit moskokëçarës.
Programi radiofonik më i dëgjuar në Amerikë, me plot 22 milionë besnikë që nuk e humbasin as edhe për një mbrëmje të vetme, mban firmën e gazetarit Pol Harvei, që sapo u lumturua duke festuar 90-vjetorin. Princi i intervistave televizive, Lerri King, i rrjetit CNN, është tashmë 73-vjeçar, ndërsa princesha e videove, Barabara Uolters, është 78 vjeçe. As edhe universi i "rokut" e i "popit", që duhet t‘u përkasë të rinjve, nuk lëshohet nga "ujqit e hirtë". Grupi "Led Zeppelin" ngriti peshë si dikur gjithë publikun, falë pjesëve të tyre të mrekullueshme. Mik Xhekeri nuk resht për një çast së shëtituri nëpër të gjitha këndet e botës 61 vitet e veta. Robert Zimerman, në art Bob Dilan, vazhdon të prodhojë albume të reja, ndërkohë që pritet rishfaqja nëpër skena e 65-vjeçares Barbara Streizënt. Disa mund të mos e besojnë, por edhe "bosi" Brus Springstin është fare pranë të gjashtëdhjetave.
Pra, ky "brez Z", kjo legë//// luanësh mbretër dhe aty këtu edhe me ndonjë luaneshë - pak gra, pasi nuk është shpikur ende ndonjë viagër që t‘u garantojë edhe femrave iluzionin e rinisë dhe pjellorisë - është i përbërë pikërisht nga ata njerëz që në vitin 1968 këndonin "Mos i besoni askujt që i ka kaluar të 30-at". Nuk mund ta dinin se qenë pikërisht ata, brezi të cilit nuk i duhej zënë besë.