Pranga bosit mafioz: është anëtar i "kupolës"
Një nga bosët mafiozë më të rrezikshëm dhe
më të kërkuar nga ana e policisë italiane
është vënë më në fund në pranga në Napoli. Ai
është konsideruar si një ndër 30 personat më të
rrezikshëm. Quhet Eduardo Contini, 52 vjeç dhe
me t‘u vënë në pranga po mbahet nën arrest në
një vend të sigurt në periferi të qytetit. Sipas hetimeve,
që ka kohë që janë ndërmarrë nga autoritetet
e policisë vendase, ai është një nga
bosët më të fuqishëm të mafies napolitane, ose
siç njihet ndryshe Camorra. Veç personit të mësipërm,
të bën përshtypje fakti se që prej dy
vitesh në Itali janë vënë në pranga një numër i
madh mafiozësh, nga ata që kërkoheshin për
një numër të madh krimesh dhe që ndodheshin
të fshehur prej shumë vitesh. I tillë ishte edhe
kapja një muaj më parë e bosit të mafies siciliane,
Salvatore Piccolo, i njohur ndryshe edhe
si bosi i bosëve. Sipas ministrit të Brendshëm
italian, Giuliano Amato, i cili ka dhënë menjëherë
një konferencë për shtypin, arrestimi i
Eduardo Contini-t është ndoshta një ndër më
të rëndësishmit e policisë italiane të kohëve të
fundit, pasi personi në fjalë mund të konsiderohet
si bosi më i rrezikshëm i mafies në Napoli. Po
sipas ministrit, policia italiane kishte më shumë
se një vit që ishte vënë në gjurmë të bosit mafioz,
duke i mbajtur hetimet të heshtura. Farncesco
Forgione, presidenti i komisionit parlamentar
italian antimafie, e cilësoi kartelin e të arrestuarit
si më të rrezikshmin dhe më të dhunshmin mes
të tjerëve. Contini ka qenë në ndjekje të policisë
që nga viti 2000 dhe thuhet se një pjesë të fshehjes
së tij e ka kaluar në vendet e Evropës së Veriut.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në vilën
ku i fshehuri ishte strehuar u gjet një sasi shumë
e madhe veshjesh të brendshme dhe çorapesh,
çka tregon se ai nuk preferonte t‘i lante veshjet,
por i hidhte pas përdorimit, nga frika se mos e
kapnin. Ai dyshohet dhe akuzohet për trafik
droge dhe për anëtarësi në bordin e të ashtuquajturës
"kupola". Arrestimi i tij është suksesi i fundit
i policisë italiane në luftën kundër krimit të
organizuar.