E Diel, 1 Nëntor 2026

Maks Velo: Ja cila pikturë më futi në burg

Arti i Maks Velos, për të parën herë, gjen vend në një ekspozitë në Korçë. E sjellë nga retrospektiva në 55 piktura që mbajnë mbishkrimin, penelin, teknikën dhe artin ndryshe të artistit të ndëshkuar për risitë e veprës së tij dhe modernizimin e pikturës shqiptare, është ringjallur në një galeri të hapur rishtas dhe vetëm për të hedhur pak dritë mbi këndvështrimin që syri i Maks Velos i ka dhënë jo vetëm historisë, por edhe aspekteve që vijnë nga jeta njerëzore, të ngurtësuara dhe të ringjallura brenda kornizave. I refuzuar për të hapur një ekspozitë të tij në qytetin e Mios, Maks Velo nuk ka nguruar të shprehë hapur brengën e tij, atë që asnjëherë nuk ka pasur mundësinë të përjetësojë pikturat dhe veprat duke i ringjallur ato nga shikimi i artdashësve dhe vëmendja e artistëve korçarë. "Unë jam produkt i Korçës dhe vijim i artit të Mios", ka thënë Maks Velo. Njeriu që për të parën herë, në vendin e tij, pas shumë vitesh ka arritur më në fund të sjellë një ekspozitë "Retrospektivë", nuk ka lënë pa derdhur edhe një lum kritikash për qytetarët e kulturës në Korçë, kur ka përmendur mes tyre, se i është refuzuar disa herë dëshira për të sjellë në këtë qytet artin e tij figurativ. "Korçarët kanë shumë të këqija, ashtu siç kanë dhe shumë të mira. Por ka ardhur koha që ata të jenë të hapur. E keqja e tyre më e madhe është se duan të rrinë të izoluar. Kështu nuk mund të mateni se ku jeni. Edhe pse kam çelur shtatë ekspozita në Paris, nuk kam mundur asnjëherë të kem një të tillë në qytetin tim, në Korçë. Kjo më është refuzuar. Kam kërkuar dhe kam pasur dëshirë të çel një të tillë edhe në Korçë, por nuk më kanë mirëpritur. Por sot, për të parën herë, ndihem i lumtur që në një galeri plot dritë, më është hapur dera për të ndriçuar atë vepër që deri më tani e kam mbajtur të paekspozuar, atë pikturë që vjen nga vitet e shkuara. Për herë të parë, këtu në Korçë, po sjell një pikturë që nuk e kam nxjerrë më parë, por që për mua ka një rëndësi të veçantë", ka thënë Maks Velo. Në qendër të pikturave të ekspozitës retrospektive ka qenë vepra që do t‘i rrezikonte edhe arrestimin. Maks Velo tregon se për nga stili dhe teknika në të cilën ishte punuar një nga pikturat e tij, në vitin 1967, kjo vepër do të niste edhe një histori të dhimbshme, atë të djegies për të fshehur "gjurmët" e artit ndryshe dhe të një stili modern. Piktura që u hodh në zjarr për t‘u djegur nga vetë "babai" i saj, Maks Velo, është ekspozuar në qendër të ekspozitës për të parën herë. Maks Velo tregon: "Për kohën, kjo ishte puna më e avancuar në Shqipëri, për nga stili dhe teknika. Një shok më njoftoi se do të më arrestonin. E dija që kjo do të ndodhte dhe nisa të djeg të gjitha korrespondencat, adresat dhe fotografitë komprometuese. E mora dhe këtë pikturë, që edhe sot është shumë e dashur për mua. E hodha në zjarr dhe ajo filloi të digjej. Aty teksa e shihja në flakë, nuk mund të duroja. E mora ashtu gjysmë të djegur, nisa ta pastroj dhe e fsheha në qilar. E kam mbajtur këtë pikturë si relike nga e kaluara deri më tani. As atëherë dhe as deri më sot, kjo pikturë nuk është ekspozuar. Tani e solla në Korçë dhe falë një pune mjaft të mirë restauruese të specialistëve të muzeut, qëndron mes korçarëve dhe artdashësve këtu. E kam ruajtur për ta sjellë mes korçarëve, pasi edhe unë jam pjesë e tyre", tha Maks Velo, mes emocioneve që i shkakton piktura, që për të ka një histori të rëndësishme dhe që ka lënë gjurmë në jetën e piktorit. "Një pikturë me ngjyra të tilla, pa kokë dhe pa elementë, me forma të ndryshme nga ajo që ishin mësuar të shikonin njerëzit dhe të përdornin artistët ishte e pakonceptueshme në ato vite. Sot jam i lumtur, jo vetëm që e kam sjellë këtë pikturë mes shumë të tjerave, por sepse kjo ekspozitë është vazhdim i artit të të gjithë shqiptarëve, është vijimi i artit të Mios në këtë qytet". Arti që për artistin ka pasur lëkundjet dhe ulje ngritjet e veta, është përjetësuar në 55 piktura të punuara në vite. Ato janë vendosur në një galeri që për të parën herë përdoret për qëllime të aktiviteteve kulturore. Ka qenë muzeu i Mësonjëtores së Parë Shqipe që ka hapur dyert për të çelur një galeri të ngrohtë dhe plot ndriçim në katin e parë të saj, kur nga drejtori Lorenc Glozheni, është menduar që ky muze të shërbejë jo vetëm për vizita, por edhe për artistët e ndryshëm. Midis ekspozitave të shumta në numër që ka hapur Maks Velo në vend, por edhe përtej kufijve, atij i është plotësuar ëndrra për një të tillë në qytetin e Korçës. Ekspresionizmi i stilizuar me këndvështrime abstrakte, tani nuk është më e keqja më e madhe që i vjen artit nga peneli i një piktori. Liria e tij e konceptimit të artit figurativ, mund të ketë edhe këto forma, ngjyra e teknikë. Për artistët që kanë parë ekspozitën e parë të Maks Velos në qytetin e kulturës, galeria ku janë vendosur këto krijime, ka marrë më shumë kuptim. Dhjetëra artdashës kanë shtrënguar dorën me njeriun e artit, si një mirënjohje për veprën që ka zbritur më në fund nga e kaluara në të tashmen korçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›