Holanda merr kontrollin e prodhuesit kinez të çipave “Nexperia”

Qeveria holandeze ka ndërmarrë një hap “shumë të jashtëzakonshëm”, duke marrë kontrollin e “Nexperia”, një prodhues çipash me seli në Holandë, por në pronësi të kompanisë kineze Wingtech. Ky vendim historik, i bazuar në Aktin e Disponueshmërisë së Mallrave, synon të mbrojë furnizimin evropian me gjysmëpërçues kritikë dhe të ruajë sigurinë ekonomike të Evropës.
Ministria Holandeze e Ekonomisë theksoi se vendimi erdhi pas “sinjaleve akute të mangësive serioze të qeverisjes” brenda Nexperia-s, të cilat përbënin një “kërcënim për vazhdimësinë dhe ruajtjen në tokën holandeze dhe evropiane të njohurive dhe aftësive thelbësore teknologjike.”
Ministri Holandez i Çështjeve Ekonomike, Vincent Karremans, tashmë ka autoritetin të anulojë ose bllokojë vendimet e Nexperia-s nëse ato vlerësohen si të dëmshme për interesat e kompanisë, të ardhmen e saj në Evropë, ose në rast se rrezikohet furnizimi me çipa në situata emergjence.
Zyrtarët holandezë theksuan se humbja e këtyre aftësive teknologjike mund të përbënte një rrezik për sigurinë ekonomike holandeze dhe evropiane, megjithëse nuk dhanë detaje specifike mbi rrezikshmërinë e operacioneve të firmës.
Vendimi holandez rrezikon të thellojë tensionet tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Kinës. Ky zhvillim vjen pasi SHBA-ja e vendosi Wingtech në “listën e entiteteve” në dhjetor 2024, duke e konsideruar një shqetësim për sigurinë kombëtare dhe duke ndaluar eksportet e teknologjisë amerikane pa miratim të posaçëm.
Reagimi i kompanisë mëmë kineze
Wingtech, kompania mëmë e listuar në Bursën e Shangait, reagoi ashpër të hënën, duke deklaruar se do të ndërmarrë veprime ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj dhe do të kërkojë mbështetjen e qeverisë kineze. Aksionet e Wingtech ranë menjëherë me 10% në mëngjes.
Kompania shtoi se operacionet e saj po vazhdojnë pa ndërprerje, duke theksuar përputhshmërinë me të gjitha ligjet dhe rregulloret ekzistuese. Megjithatë, Wingtech pranoi se kryetari i saj, Zhang Xuezheng, ishte pezulluar nga bordi i Nexperia me një urdhër gjykate të Amsterdamit në fillim të muajit, një zhvillim ky që mund të ketë shërbyer si një prelud i veprimit të qeverisë.
Ky rast është i dyti brenda një kohe të shkurtër ku Nexperia ballafaqohet me veprime qeveritare. Më herët, në Mbretërinë e Bashkuar, kompania u detyrua të shiste një fabrikë të çipave të silikonit në Newport pas shqetësimeve të ngritura nga ligjvënësit për sigurinë kombëtare.
/rtsh.al/