Hoxha: Mësuesit shqiptarë në diasporë forcojnë identitetin tonë

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi rolin kyç të mësuesve shqiptarë, si në vend ashtu edhe në diasporë, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në formimin e brezave të rinj.
Në një mesazh të publikuar për këtë ditë të shënuar, ministri Hoxha përgëzoi veçanërisht mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët me përkushtim dhe pasion, sipas tij, mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare jashtë vendit.
“Puna juaj është një kontribut i çmuar për ruajtjen e lidhjes së brezave të rinj me gjuhën shqipe dhe me rrënjët e tyre. Përmes mësimit të gjuhës, ju ndërtoni ura të forta mes diasporës dhe Shqipërisë, duke forcuar identitetin dhe përkatësinë tonë kombëtare kudo në botë”, theksoi ministri.
Ai kujtoi gjithashtu domethënien personale të kësaj dite për të, si djali i një mësueseje, duke vlerësuar rëndësinë e misionit fisnik të mësuesit në edukimin dhe formimin e brezave të rinj dhe në ndërtimin e shoqërisë.
Ministri informoi se Samiti i Diasporës, që do të mbahet më 14-15 prill nën moton “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”, do të fokusohet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve jashtë vendit, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe mësimdhënies në forcimin e identitetit kombëtar.
“Gëzuar 7 Marsin të gjithë mësuesve shqiptarë në çdo cep të globit!”, uroi ministri Hoxha, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm në edukimin e brezave dhe lidhjen e diasporës me atdheun. /j.p/
1 nga 2