E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hoxha: Nuk ka ende projekt në Zvërnec, do të kryhet vlerësim i detajuar i ndikimit në mjedis

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi sot se për investimin në Zvërnec që ka ngjallur debat publik nuk ekziston ende një projekt i miratuar dhe se çdo vendimmarrje do të mbështetet në vlerësime të plota, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare.

Në një takim me gazetarë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Hoxha tha se kjo çështje është diskutuar gjerësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe se autoritetet shqiptare kanë ndarë me ta të gjithë informacionin e nevojshëm.

Ministri theksoi se aktualisht po punohet për hartimin e një projekti dhe se ende nuk ka një dokument të miratuar mbi të cilin mund të jepen konkluzione përfundimtare.

“Nuk kemi një projekt. Është përsëritur disa herë; nuk ka një projekt të miratuar. Ka një punë që po bëhet për një projekt dhe unë besoj informacionin e qeverisë sime dhe të arkitektëve më të mirë ndërkombëtarë, më të mirënjohur në fusha të caktuara, për mënyrën se si mund të menaxhohet zhvillimi dhe natyra. Por projekti ende duhet bërë”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, do të kryhet një vlerësim i detajuar i ndikimit në mjedis, në përputhje me detyrimet ligjore dhe angazhimet e Shqipërisë.

“Do të ketë një vlerësim tërësor të ndikimit në mjedis të projektit të ardhshëm dhe kjo bëhet në përputhje me legjislacionin tonë dhe me angazhimet tona. Ende nuk e kemi, sepse projekti nuk është bërë”, tha ministri.

Hoxha nënvizoi se qëllimi është gjetja e ekuilibrit të duhur mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një investim privat në një zonë private.

“Ne do të vendosim ekuilibrin më të mirë të mundshëm midis nevojës për zhvillim dhe nevojës për mbrojtje. Nuk po shpikim asgjë. Është bërë diku tjetër dhe nuk ka arsye pse të mos bëhet siç duhet. Elementi i tretë është se bëhet fjalë për një projekt privat në një zonë private nga një zhvillues privat. Qeveria është aty për të siguruar që rregullat, standardet ndërkombëtare dhe legjislacioni të zbatohen”, u shpreh ai.

Ministri bëri thirrje që të priten rezultatet e procesit të hartimit dhe vlerësimit të projektit para se të nxirren përfundime.

“Le të kemi durim të shikojmë se çfarë do të bëhet para se të dalim me gjykime të nxituara”, tha Hoxha. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›