KIEV – Zelensky paralajmëron për sulme të mëdha ruse

KIEV, 8 janar /ATSH-DPA/- Ukraina po përgatitet për sulme të intensifikuara ajrore ruse ndërsa një valë e të ftohtit ka përfshirë vendin, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ka informacione se mund të ketë një tjetër sulm masiv rus sonte”, paralajmëroi Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm nga Kievi, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të dëgjojnë sirenat e sulmeve ajrore dhe të kërkojnë strehim.
Zelensky tha se Rusia po i jepte përparësi luftës dimërore kundrejt diplomacisë, duke synuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës me raketa balistike – në vend që të angazhohej në përpjekjet e paqes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Temperaturat në të gjithë Ukrainën pritet të bien nën zero gradë Celsius nga e premtja, me parashikime deri në minus 10 gradë Celsius në Kiev dhe rajonet veriore.
I ftohti po rrit presionin mbi sistemet e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit, tashmë të dëmtuara.
“Rajoni i Dnipropetrovskut pësoi sot ndërprerjen më të madhe të energjisë në gati katër vjet luftë pas sulmeve ruse herët”, tha Zelensky.
Ai shtoi se kishte diskutuar me kryeministren Yulia Svyrydenko mundësinë e kufizimit të operacioneve në shkolla, zyra dhe objekte jo-thelbësore gjatë dy javëve të ardhshme. //a.i/