E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha në Prishtinë: Dialogu Kosovë-Serbi, rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një vizitë në Kosovë, Prishtinë, ku u takua me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, të cilin e përgëzoi për marrjen e drejtimit të partisë në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në Kosovë.

Hoxha shprehu gjithashtu vlerësimin për kontributin e ish-kryetarit të Aleancës, Ramush Haradinaj, duke theksuar rolin e tij në drejtimin e partisë ndër vite dhe në avancimin e agjendës shtetërore të Kosovës, veçanërisht në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për integrimin euroatlantik të vendit.

Gjatë takimit, Hoxha bëri me dije se “diskutuan edhe mbi rëndësinë e krijimit sa më parë të institucioneve të reja pas zgjedhjeve dhe rolin konstruktiv që Aleanca mund të luajë në ndërtimin e konsensusit politik, veçanërisht në funksion të proceseve të rëndësishme institucionale që e presin vendin, përfshirë zgjedhjen e Presidentit”.

Hoxha theksoi se dialogu ndërmjet Kosovë dhe Serbi mbetet rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve, forcimit të paqes së qëndrueshme dhe avancimit të integrimit evropian.

“Theksova rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve, konsolidimit të paqes së qëndrueshme dhe përparimit në procesin e integrimit evropian, duke nënvizuar njëkohësisht nevojën për përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj çdo veprimi që cenon sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal”, shkruan Hoxha.

Hoxha riafirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipëri për Kosovën teksa shton se “në çdo kohë dhe në çdo aspekt, si për forcimin e demokracisë, institucioneve dhe zhvillimit të saj, ashtu edhe për konsolidimin e rolit të Kosovës si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›