Rama: Investitorët kanë angazhuar në Zvërnec ekselencën botërore në arkitekturë e inxhinieri mjedisi

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh Kryeministër, Edi Rama nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se projektet në Sazan dhe Zvërnec kanë nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023.
“Qëndrimi ynë, që në ditën e parë, ka qenë, Sazani është tokë publike. Ka qenë një dëshirë dhe një ambicie e kahershme edhe e qeverive të tjera, e kryeministrave të tjerë për ta kthyer në një destinacion turistik. Ne jemi të gatshëm që të punojmë me ju, por ajo tokë nuk shitet dhe ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak”, tha Rama.
“Qeveria e Kryeministrit tuaj, që e keni votuar dhe që sot, duke iu bashkuar zemëratës, e konsideroni “shitës dhe të korruptuar”. Shitësit dhe të korruptuarit e bënin Shqipërinë “1 euro” dhe merrnin pjesën e tyre. Nuk ia jepnin shtetit pjesën, por kjo është histori”, vijoi ai.
Ndërsa, në projektin e Zvërnecit, Rama tha se u është kërkuar investitorëve që të shohin pronat dhe pronarët sepse, shteti nuk ka tokë aty.
“Copëzat që mund të jenë shtet janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj, kështu që merruni me pronarët. Ju e dini shumë mirë se kush janë njerëzit e interesuar, e di gjithë bota”, tha Rama.
“Bota mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar projektin, Jared Kushner, por bota ka hesape për të larë dhe ka luftërat e veta për të bërë. Prandaj edhe projekti ka pasur, që sapo doli fjala interesim, vëmendje nga të gjitha mediet amerikane dhe evropiane, por me agjendë. Jo për të informuar popullin e tyre se sa shumë po zhvillohet Shqipëria, por për të gjetur gjilpërën në kashtë”, theksoi ai.
Kreu i Qeverisë bëri me dije se investitorët kanë angazhuar ekselencën botërore në arkitekturë, në inxhinieri mjedisi dhe në aspektin juridik.
Ndërkohë, theksoi Rama, “administrata shqiptare ka mbrojtur interesin tuaj, interesin tim, të vendit, dhe kemi bërë detyrën jo thjesht proceduralisht, por profesionalisht dhe patriotikisht”.
“Kam parë imazhe të projektit me pallate. Ku i keni gjetur? Ato nuk kanë lidhje me projektin. Projekti i vjetër është rrëzuar nga administrata shqiptare. Dhe iu është kthyer mbrapsht. Ndjesë, por ne kemi kërkesa të larta dhe duam standarde shumë të larta. Ne donim më shumë për ju, jo për vete. Për vete si për ju”, tha Rama.
/e.i/j.p/r.e/