Rama: Manipulimi për projektin në Zvërnec, kurth për të ardhmen e Shqipërisë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kundërshtarët e projektit të Zvërnecit po manipulojnë qytetarët përmes medieve dhe rrjeteve sociale, duke krijuar sipas tij një “kurth për të ardhmen e Shqipërisë”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në kryesinë e Kuvendit, Rama tha se qytetarët janë tërhequr në këtë debat duke u shfrytëzuar ndjenjat patriotike dhe dëshira për një Shqipëri sovrane.
“Tani zgjodha që t’ju tregoj anën tjetër të medaljes edhe me rrezikun që të mos besoni dhe po aq hapur dhe sinqerisht sa ç’ju thashë deri tani, vëllazërisht. Kur unë kam hyrë në atë zyrë kam thënë që zyra është e imja, pushteti është i juaji dhe nuk kam premtuar që nuk do të bëj gabime, aq më tepër që nuk do të bëjnë gabime, por kam premtuar një gjë: që nuk do t’ju tradhtoj kurrë!”, tha Rama.
Ai shtoi se qytetarët janë manipuluar dhe bërë pjesë e një skenari, që sipas tij dëmton të ardhmen e vendit.
“Nuk është vendi për t’u shpjeguar të gjitha arsyet e këtij premtimi, por këtu është vendi për t’u treguar se si ju kanë manipuluar dhe si ju kanë tërhequr duke shfrytëzuar pikërisht atdhetarinë, dëshirën për të pasur një vend të bukur, një mjedis të mbrojtur, një vend sovran dhe se si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua personalisht, prej ditës së parë. Por që këtu në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë. Unë kështu e shoh”, deklaroi Rama.
Kryeministri solli në vëmendje filmin “Wag the Dog”, duke bërë krahasim me mënyrën sesi sipas tij fabrikohen ngjarje dhe konflikte përmes medieve.
“Dua ta ndaj me ju që kam menduar këto ditë për një film që na identifikoi ne para botës, në një kohë kur bota na njihte si njerëz me bisht, jo në vitet para erës sonë, por në vitet e demokracisë. Na dinin njerëz me bisht dhe u bëmë të njohur ne shqiptarët dhe Shqipëria përmes filmit “Wag the Dog”. Rekrutohet një producent i famshëm i Hollivudit i luajtur nga Dustin Hoffman dhe bashkë me regjisorin Robert De Niro fabrikojnë një luftë të trilluar të Amerikës me Shqipërinë. Si e fabrikojnë? Përmes medieve. Duke përdorur teknika hollivudiane, pamje të rreme lajmesh si ajo foto e shpërndarë gjithandej e atij “gardhit të mallkuar” me tela me gjemba me atë sinjalistikën: këtu është kufiri midis Izraelit dhe Shqipërisë. Këngë patriotike plot me këngë që shoqërojnë idiotpërkatësit, heronj të sajuar dhe ngjarje të organizuara me shumë kujdes”, tha Rama.
Sipas tij, manipulime të tilla sot përhapen më lehtë përmes rrjeteve sociale.
“Krijojnë një krizë të madhe, pushtojnë titujt kryesorë të medias dhe zhvendosin komplet vëmendjen e publikut që përfshihet totalisht emocionalisht në luftë me Shqipërinë. Dhe bëhet i gjithi, i bashkuar për të shpëtuar një ushtar amerikan që ka mbetur në vijat ku janë armiqtë, ku janë shqiptarët, ushtria shqiptare që po lufton ushtrinë amerikane. Konflikti i fabrikuar e tërheq opinionin publik aty ku donin manipulatorët. Është film. Më është kujtuar këto ditë. Dhe këto nuk janë më gjëra që ndodhin në filma. Falë rrjeteve sociale ndodhin në shumë vende të botës”, u shpreh Rama.
/r.e//a.g/