Rama: Si mund të jenë gazetat greke aleate në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është e pakuptueshme që mediet greke të mbështesin kauzën kundër projektit të Zvërnecit në emër të mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri.
Deklarata e Kryeministrit Rama u bë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në Kryesinë e Kuvendit, duke folur për projektin në Zvërnec dhe “të pavërtetat e mëdha” që sipas tij janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
“Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Pyeteni veten si ndodh kjo. Pyeteni veten si mund të ndodhë kjo, gazetat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj. Ka diçka këtu që nuk shkon apo u gjet tradhtari, shitësi i atdheut, i korruptuari dhe ai është kryeministri juaj”, tha Rama.
Kryeministri tha se po fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe emocionale për shkak të situatës së krijuar.
“Thënë këto, dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase edhe emocional, por kjo është ndjesia ime, sepse për mua këto janë ditë të habitshme, që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe për t’ju lënë në duart që do të zgjidhni vetë pastaj sekush për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se do të vijojë përpjekjen për ta çuar përpara projektin e nisur bashkë me qytetarët.
“Por kam zgjedhur për të bërë atë që bëj gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju – dhe e dua po ashtu siç e doni ju – dhe t’ju udhëheq për ta përmbyllur këtë që kemi nisur bashkërisht falë votës suaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është, me të cilën i kemi dhënë vlerën që ka flamuri ynë në sytë e të huajve dhe me të cilën duam ta bëjmë Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më për t’u pasur zili në Mesdheun e sotëm. Dhe ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje”, deklaroi Rama.
/j.p/r.e/