E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha telefonatë me homologun e Katarit: Mirënjohje për kujdesin e treguar ndaj shqiptarëve gjatë sulmeve të Iranit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologune  tij të Katarit, Soltan bin Saad Al-Muraikhi:

Përmes një postimi në X, Hoxha shprehet se, qeveria shqiptare i është mirënjohëse Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë këtyre kohëve sfiduese.

“Pata sot një bisedë shumë të frytshme me Ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të #Katarit, Sh.T. Soltan bin Saad Al-Muraikhi.

Dënova me forcë sulmet iraniane ndaj shtetit të Katarit, si një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare, si dhe e sovranitetit dhe integritetit territorial të tij.

Duke rikonfirmuar solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, shpreha gjithashtu vlerësimin për rolin udhëheqës të Katarit dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm për dialogun, ndërmjetësimin dhe stabilitetin rajonal.

Shqipëria vlerëson miqësinë e ngushtë me Katarin dhe mbetet e gatshme të mbështesë çdo nismë që synon ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Jemi njëkohësisht mirënjohës ndaj autoriteteve të Katarit për kujdesin dhe mbështetjen e treguar ndaj qytetarëve shqiptarë në Katar gjatë këtyre kohëve sfiduese“, shkruan Hoxha në postimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›