Hysa: Synohet ulja e papunësisë së të rinjve në 10%, arsimi dual mundëson punësim 100%

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Klevis Hysa theksoi sot se “gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë një sërë reformash nga qeveria shqiptare për të ulur papunësinë e të rinjve”.
Në fjalën e tij në në një takim me të rinj të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Hysa tha se “papunësia e të rinjve është më shumë se përgjysmuar nga 32% që rezultonte në vitin 2014, sot në publikimin e fundit zyrtar të Institutit të Statistikave rezulton se 15% e të rinjve janë të papunë”.
“Synimi dhe ambicia e qeverisë përmes strategjisë së qartë 2030 është që kjo papunësi të shkojë në 10% dhe pse jo, të ulet akoma më shumë me gjithë reformat që kanë nisur”, tha Hysa.
Ky rezultat, vijoi Hysa, nuk është rastësi pasi një sërë iniciativash, strategji të zbatuara në vite, që kanë dhënë rezultatet e veta dhe impakti duket në statistikat zyrtare.
Duke folur për nismat e reja të mbështetura dhe iniciuara nga kryeministri Rama, Hysa u ndal tek sistemi dual i arsimit.
“Në sistemin dual sot për vitin e dytë radhazi rezultojnë 400 nxënës të regjistruar dhe në vitin e kaluar patëm 200, ku rezultuan 10 shkolla dhe midis nesh kemi edhe të rinj të cilët përfaqësojnë dhe janë përfaqësues të këtyre drejtimeve”, nënvizoi Hysa.
Kreu i AKPA-ë tha se “arsimi dual ka filluar të japë impaktin e vet në punësimin e të rinjve, nëse ne më parë kemi pasur 70-80% të të rinjve të punësuar në arsimin profesional sot arsimi dual mundëson 100% punësimin e nxënësve duke ulur papunësinë e të rinjve dhe duke rritur punësimin dhe duke u dhënë mundësi të integrohen në tregun e punës me një pagë të kënaqshme”.
Por, shtoi ai, arsimi profesional është pjesë e paketës së qeverisë për të nxitur formimin profesional të të të rinjve, ku jo vetëm të rinjtë, por edhe të rriturit përfitojnë dhe para tre vitesh u lançua programi i kodimit.
“Ky program u jep mundësinë të gjithë të rinjve por edhe të rriturve që duan të marrin një profesion të mirëpaguar nga tregu i punës siç janë profesionet e programimit. Sot 2 mijë të rinj janë trajnuar dhe punësuar disa prej tyre kanë avancuar me njohuritë, por disa kanë ndërruar edhe profesionin”, tha Hysa.
1 nga 3/k.s/a.f/r.e/