E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibrahimaj: Dyfishohen fondet për punësimin e të rinjve në buxhetin 2026

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në konferencën “RINIA 2030-Punësim, Aftësi, Sipërmarrje”, një takim kushtuar të rinjve që janë punësuar dhe aftësuar përmes programeve qeveritare, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se ndërsa diskutimet për buxhetin 2026 janë përqendruar më së shumti te pensionet dhe pagat, më pak është folur për masat që po merren për të rinjtë, të cilët, sipas saj, përbëjnë bazën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

Ibrahimaj bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2026, fondet për programet e nxitjes së punësimit do të dyfishohen, duke arritur në 12 milionë euro vetëm për të rinjtë. Ajo nënvizoi se investimi te kapitali njerëzor është vendimtar për të ardhmen e ekonomisë, pasi rritja e qëndrueshme nuk mund të arrihet pa fuqizimin e brezit të ri.

Ministrja solli edhe shembuj konkretë të arritjeve, si Programi i Kodimit, përmes të cilit janë formuar dy mijë profesionistë të rinj, shumica pa përvojë paraprake në teknologji, por që sot janë të punësuar falë financimit të trajnimeve. Po ashtu, mijëra të rinj janë përfshirë në programe të formimit profesional në sektorë si mekanika, turizmi, energjia, portet dhe aeroportet, për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës.

Duke folur për sipërmarrjen, të cilën e quajti “zemra e ekonomisë shqiptare”, Ibrahimaj kujtoi se 97% e bizneseve në vend janë të vogla dhe të nisura nga një ide. Ajo bëri të ditur se 240 të rinj do të mbështeten me nga 1 milion lekë secili përmes fondit të vetëpunësimit, ndërsa 200 startup-e janë financuar në dy vitet e fundit, disa prej të cilave po punësojnë të rinj të aftësuar përmes Programit të Garancisë Rinore.

Sipas ministres, papunësia rinore ka rënë në nivelin më të ulët historik, duke zbritur në 15%, nga mbi 30% që ishte në fillim të mandatit të parë qeverisës të PS. Ajo shprehu besimin se deri në vitin 2030 papunësia e të rinjve do të bjerë nën 10%, falë edhe fondeve shtesë prej 60 milionë eurosh nga buxheti i shtetit dhe Bashkimi Europian, të destinuara për punësimin dhe aftësimin e tyre.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›