Banka e Shqipërisë prezanton dy dokumentarë historikë në kuadër të 100-vjetorit të saj

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Banka e Shqipërisë organizoi një aktivitet kushtuar 100-vjetorit të saj, ku prezantoi dy dokumentarë historikë, të cilët trajtojnë përpjekjet për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë (1912-1925) dhe rolin e këtij institucioni në konsolidimin e shtetit shqiptar.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit akademik, profesorëve, studiuesve dhe studentëve të disa universiteteve të vendit.
Ky aktivitet synoi t’u japë të pranishmëve një perspektivë më të thellë për proceset që i paraprinë themelimit të Bankës së Shqipërisë, institucioni që sot luan një rol qendror në stabilitetin financiar, në zhvillimin ekonomik dhe në edukimin publik.
Dokumentarët rikthejnë në vëmendje një kapitull kyç të historisë së shtetformimit shqiptar, duke ndjekur rrugëtimin nga vizioni i Rilindësve për krijimin e një banke kombëtare, te sfidat politike, ekonomike dhe diplomatike të periudhës 1912-1925. Bazuar në materiale arkivore, dokumente parlamentare e diplomatike të kohës, ato sjellin në mënyrë kronologjike përpjekjet që çuan në themelimin e institucionit të parë monetar të vendit më 1925.
Aktiviteti u çel nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, e cila u shpreh se ky vit jubilar është një moment reflektimi mbi rrënjët historike të institucionit dhe rolin që ai ka luajtur në modernizimin ekonomik të vendit.
“Historia e Bankës Kombëtare është një pjesë organike e historisë së shtetit shqiptar. Ajo përfaqëson përpjekjet e një vendi të ri për të krijuar themele të qëndrueshme financiare, për të ndërtuar monedhën e vet dhe për të garantuar sovranitetin ekonomik”, u shpreh Minxhozi.
Ajo theksoi se pavarësia politike, pa pavarësi monetare mbetet e brishtë, dhe se institucionet e forta ndërtohen me vizion, debat dhe guxim.
Zëvendësguvernatorja nënvizoi gjithashtu se Banka e Shqipërisë, 100 vjet pas themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipnis, mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj themelor: garantimin e stabilitetit monetar, forcimin e sistemit financiar, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe edukimin financiar të publikut.
Dy dokumentarët e prezantuar “Nga ideja tek institucioni: kronologjia e përpjekjeve për krijimin e Bankës Kombëtare (1912–1925)” dhe “Themelimi i Bankës Kombëtare të Shqipnis – 1925” udhëheqin publikun në një udhëtim historik që shpalos sfidat dhe kompromiset e ngritjes së një institucioni modern në një periudhë të trazuar politike dhe ekonomike.
Në vijim të këtij aktiviteti, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të vijojë prezantimet e dokumentarëve për universitete që paraqesin interes, me synimin që më shumë studentë e komunitete akademike të kenë mundësinë të njihen nga afër me historinë e institucionit dhe rolin e tij në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë synon të nxisë diskutimet akademike, të mbështesë kërkimin shkencor në fushën e historisë ekonomike dhe të promovojë edukimin financiar, si një pjesë thelbësore e formimit të brezit të ardhshëm profesional.
1 nga 4/r.e/a.f/