Hysen Durmishi caktohet Ministër në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

PRISHTINË, 27 gusjt/ATSH/ Liburn Aliu ka dorëzuar sot te kryeministri në detyrë, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Aliu shprehet i zhgënjyer me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, zgjedhja Bashës nuk është “në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”.
Pas këtij vendimi të Liburn Aliut, si udhëheqës detyre i Ministrisë së Infrastrukturës është caktuar, Hysen Durmishi.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar sot zëvendësministrin e deritanishëm të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ushtrues të detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas dorëheqjes dhe lirimit nga detyra të ministrit të këtij dikasteri, Liburn Aliu”, thuhet në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit.
Kujtojmë se Basha u zgjodh dje kryeparlamentar në tentimin e 58-të të konstituimi të Kuvendit, ku mori 73 vota për./KosovaPress.