I denoncuar i zhdukur prej 4 ditësh, kërkime për bariun në lumin Vjosë

Vijojnë kërkimet për gjetjen e 65-vjeçarit Ylli Dine, i zhdukur prej katër ditësh në zonën e fshatit Mezhgoran, në Bashkinë Tepelenë.
Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga familjarët, shërbimet e Policisë së DVP Gjirokastër, Komisariati i Policisë Tepelenë, forcat speciale RENEA, polumbarët dhe shërbimi zjarrfikës kanë nisur operacionin e kërkimit.
Gjatë kontrolleve përgjatë bregut të lumit Vjosë, janë gjetur disa sende personale, konkretisht një kërrabë dhe një velenxë, që dyshohet se i përkisnin bariut 65 vjeçar.
Kjo gjetje ka shtuar dyshimet se ai mund të ketë rënë ose të jetë hedhur në ujërat e rrëmbyeshme të lumit, duke bërë që kërkimet të përqendrohen kryesisht në shtratin e Vjosës.
“Dyshohet se ka rrëshqitur duke ecur anash lumit”, tha Agron Dine, vëllai i të humburit .
Familjarët shprehen të shqetësuar për fatin e të afërmit të tyre, ndërsa bëjnë thirrje për intensifikimin e kërkimeve dhe kërkojnë ndihmën e kujtdo që mund të ketë informacion. Autoritetet bëjnë me dije se operacioni do të vijojë pa ndërprerje deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të zhdukjes.
/rtsh.al/