E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE mbështet reformën zgjedhore, Tarran: Rinisni punimet, ligji i zgjedhjeve nuk është në nivelin e duhur

Misioni i ODIHR ka rikthyer në vëmendje nevojën për ndryshime në ligjin zgjedhor në Shqipëri.

Sipas ambasadorit të OSBE në Shqipëri Michel Tarran, legjislacioni aktual nuk është në nivelin e duhur  ndaj apelon për nisjen sa më e shpejtë të punës së Komisionit për Reformën Zgjedhore.

“Rekomandimet e ODIHR janë për të përmirësuar ligjin e zgjedhjeve, dhe këtu inkurajojmë punën e komisionit për reformën zgjedhore. Shpresojmë shpejt të fillojë punën e tij. Puna e tij është shumë e rëndësishme, sepse ka disa probleme të lidhura me ligjin zgjedhor që, sipas nesh, nuk është akoma aty ku duhet të jetë. Ky është rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR”, tha ai.

Sipas Tarran të gjitha partitë politike bien dakord për nevojën e ndryshimeve, ndërsa ODIHR, thekson më tej ai, nuk përfshihet në debatin politik.

Kjo e enjte përkon me Ditën Botërore të Zgjedhjeve, me rastin e së cilës prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe KQZ zhvilluan një aktivitet me “Influencerët e Rinj të Zgjedhjeve” në universitete.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›