“I rashë borisë, por më shau”/ Goditi për vdekje me thikë 31-vjeçarin në Tiranë, zbardhet dëshmia e Gazment Buçpapajt

Gazment Buçpapaj, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Tropojë si autor i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt në Tiranë, është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, ku ka dhënë versionin e tij mbi ngjarjen.
Sipas dëshmisë së tij, 40-vjeçari ka pretenduar se krimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.
Ai ka shtuar se, ditën e ngjarjes kishte marrë bashkëshorten nga puna dhe ishte nisur drejt spitalit, por rrugën e kishte gjetur të bllokuar.
Buçpapaj ka pohuar se i ka rënë borisë, ndërsa, sipas tij, viktima e ka ofenduar.
“Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina“, citohet të ketë thënë Buçpapaj.
Të dy mjetet kanë vijuar lëvizjen për rreth 100 metra, moment kur, sipas deklarimit të tij, Egli Pashollari ka ndaluar automjetin, ka zbritur dhe e ka ofenduar sërish.
Në vijim, ai ka treguar se janë përfshirë në një përleshje fizike me grushte dhe se në kushtet e vetëmbrojtjes e ka goditur me thikë.
“Aty u zumë me grushte dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë“, ka rrëfyer 40-vjeçari.
Ndërkohë, bashkëshortja e 40-vjeçarit mësohet të ketë thënë:
“Bashkëshorti i ra borisë për t’i kërkuar të hapte, por shoferi na ofendoi me fjalë të rënda nga familja. Nuk e pashë momentin që ai e goditi personin tjetër me ndonjë send, por dyshoj se mund të ketë përdorur një thikë me palosje që e mbante në makinë”.
Egli Pashollari u godit disa herë me thikë pak pas orës 15:00 nga Gazment Buçpapaj, por njëra prej tyre rezultoi fatale, në pjesën poshtë shpatullës, te e cila humbi sasi të madhe gjaku.
31-vjeçari u dërgua në spital nga dëshmitarë në vendngjarje, por mbërriti pa shenja jete.
Pas ngjarjes, Buçpapaj ka qëndruar në Tropojë, tek disa të afërm të tij, deri në momentin e arrestimit.