“Sterilizimi”, GJKKO kërkon kërkesën e Beqajt

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme t’i vërë në dispozicion Ilir Beqajt argumentimin se pse u ndryshua akuza nga shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vendimi i GJKKO-së erdhi pas kërkesës së vetë Beqajt, i cili pretendon se nuk është njohur me akuzën e ndryshuar as me shkrim dhe as me gojë.
“Gjatë seancave të para unë kuptova që procesverbali ishte audioja e seancës”, tha Beqaj.
Për këtë arsye ai kërkoi dëgjimin e audios në sallë për të vërtetuar se “asnjë nga prokurorët nuk e ka shqiptuar me gojë akuzën e ndryshuar”.
“Mua ma garanton Kushtetuta dhe Konventa të vihem në dijeni hollësisht për akuzën që i është ngritur. Kodi nuk e përcakton që akuza bëhet me shkrim, por nuk përcakton as që bëhet me gojë. Nëse njoftimi i akuzës bëhet me shkrim, si mund të ndryshohet me gojë”, tha Beqaj gjatë seancës.
Kujtojmë se Beqaj po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme sa i përket dosjes së “Sterilizimit”.
Çështja e “Sterilizimit” lidhet me koncesionin për shërbimet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale në spitalet publike, një kontratë që ka qenë në qendër të debatit publik dhe politik prej vitesh për shkak të kostove dhe procedurave të ndjekura. Hetimet e SPAK nisën pas dyshimeve për shkelje ligjore dhe dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.