INSTAT: Mbi 45% e qytetarëve blejnë online, kryesisht rroba dhe shërbime dërgimi

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ E-blerjet po kthehen në një praktikë të zakonshme për qytetarët shqiptarë, duke shënuar rritje të dukshme të përdorimit të internetit në aktivitetet e përditshme.
Sipas Anketës Kombëtare mbi Përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në familje dhe individë për vitin 2025, 45,4% e individëve të grup-moshës 16-74 vjeç kanë kryer të paktën një blerje online gjatë vitit të fundit.
Pjesa më e madhe e blerjeve online përqendrohet tek rrobat, këpucët dhe aksesorët, që përbëjnë 96,5% të totalit, ndërsa shërbimet e dërgimit në shtëpi nga restorantet dhe fast food-et zënë 61,1%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të konsiderueshme të aktivitetit të qytetarëve në tre muajt e fundit, duke reflektuar zgjerimin e përdorimit të platformave online për blerje të përditshme.
Të dhënat flasin për një ndërthurje të fuqishme midis digjitalizimit dhe konsumit, duke ndikuar jo vetëm në mënyrën e konsumit, por edhe në zhvillimin e sektorit të tregtisë elektronike në vend.
Ky zhvillim shkon paralelisht me përmirësimin e aftësive teknologjike të qytetarëve shqiptarë, të cilët përdorin më shumë pajisje smart, si telefonët inteligjentë dhe laptopët, për të kryer blerje online dhe për të menaxhuar aktivitetet e tyre digjitale.
/r.e/a.f/