Qendra e re e kontrollit teknik në Lushnjë përfundon në janar

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Punimet në Qendrën e re të Kontrollit Teknik (QKT) në Lushnjë pritet të përfundojnë në fillim të janarit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qendra e re, pjesë e planit kombëtar për modernizimin e kontrollit teknik, synon të rrisë cilësinë e shërbimeve dhe të garantojë standardizimin e tyre në të gjitha qarqet e vendit.
Ndërhyrjet janë fokusuar në krijimin e një infrastrukture moderne dhe të standardizuar, organizimin funksional të ambienteve të brendshme për fluks më efikas, si dhe pajisje dhe teknologji të përditësuara për proceset teknike.
“Ky investim nuk përmirëson vetëm kushtet e punës për stafin dhe operatorët, por ofron edhe mjedise më komode dhe më të sigurta për qytetarët që marrin shërbimin”, tha Rama.
QKT e Lushnjës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të shërbimeve të kontrollit teknik në të gjithë vendin, duke sjellë standarte bashkëkohore dhe efikasitet në çdo hap të procesit.
1 nga 15/r.e/a.f/