IRAN – Sulme të reja ndaj Arabisë Saudite dhe Kuvajtit

BEJRUT, 9 mars /ATSH-DPA/ – Arabia Saudite dhe Kuvajti janë vënë sërish në shënjestër të sulmeve, në mes të ofensivës së vazhdueshme të Iranit ndaj vendeve të Gjirit.
Ministria saudite e Mbrojtjes njoftoi sot në mengjes rrjetin social X se gjashtë dronë u interceptuan dhe u shkatërruan në lindje të Riadit.
Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit bëri të ditur se ka kapur dhe shkatërruar tre raketa që kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
Më herët, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Kuvajtit tha se depozitat e karburantit në aeroportin ndërkombëtar të vendit ishin shënjestruar nga sulme me dronë në orët e para të mëngjesit.
“Mbrojtja ajrore e Kuvajtit po i përgjigjet aktualisht kërcënimeve armiqësore me raketa dhe dronë”, tha ushtria në një postim në rrjetin social X, duke shtuar se “shpërthimet që mund të dëgjohen janë rezultat i sistemeve të mbrojtjes ajrore që po interceptojnë objektivat armiqësore”.
Dy vendet e Gjirit nuk dhanë detaje të tjera për incidentet.
Në përgjigje të sulmeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, Teherani ka sulmuar gjatë javës së fundit disa vende arabe ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë baza ushtarake.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Irani do të ndalojë sulmet ndaj vendeve fqinje për sa kohë që nga territori i tyre nuk nisen sulme kundër Iranit.
Ai gjithashtu kërkoi falje për sulmet, duke thënë se ato ishin “pasojë e situatës kaotike pas vrasjes së disa komandantëve të lartë, kur forcat e armatosura mbetën pa drejtim dhe u detyruan të vepronin në mënyrë të pavarur”. /Ad.Ab./