IRAN – Teherani dhe Uashingtoni larg marrëveshjes, tensionet mbeten të larta

TEHERAN, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Irani deklaroi sot se nuk i beson Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa negociatat mes palëve mbeten të bllokuara dhe Teherani këmbëngul se çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë edhe ndalimin e ofensivës izraelite në Liban.
Bisedimet indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit nuk kanë arritur ende një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për kontrollin e programit bërthamor iranian. Situata është tensionuar më tej nga zgjerimi i operacioneve ushtarake izraelite në Liban.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha se nuk janë zhvilluar ende negociata të detajuara për çështjen bërthamore dhe se prioriteti i Iranit mbetet përfundimi i luftës. Ai theksoi se armëpushimi në Liban është kusht thelbësor për çdo marrëveshje më të gjerë.
Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se kreu sulme “në vetëmbrojtje” kundër objekteve iraniane të radarëve dhe kontrollit të dronëve, pasi një dron amerikan “MQ-1” u rrëzua. Pas kësaj, Garda Revolucionare iraniane tha se kishte goditur një bazë ajrore të përdorur nga ushtria amerikane.
Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet programi bërthamor iranian. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se marrëveshja e propozuar përcakton qartë se Irani nuk do të zotërojë armë bërthamore, ndërsa Teherani kërkon lirimin e 12 miliardë dollarëve asete të ngrira para se të hyjë në negociata thelbësore.
Në të njëjtën kohë, Izraeli ka zgjeruar ofensivën në Libanin jugor kundër Hezbollahut. Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të vazhdojë operacionet ushtarake, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente për përshkallëzimin e konfliktit. /Ad.Ab./