Lamallari: Strategjia 2026-2030 do të forcojë luftën kundër krimit të organizuar

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari mori pjesë sot në takimin konsultues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026-2030, dokument që do të udhëheqë politikat në këtë fushë gjatë viteve të ardhshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se strategjia synon ndërtimin e një mekanizmi më të fortë për mbrojtjen e qytetarëve, forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.
Sipas tij, qasja e re do të bazohet në parandalim, inteligjencë, hetime financiare dhe bashkëpunim kombëtar e ndërkombëtar.
“Vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit mund të hartojmë politika më efektive dhe më pranë nevojave të vendit”, u shpreh Lamallari.
Ministri i Brendshëm nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar kërkon vizion afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë institucional dhe përfshirjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë.
Ai falënderoi institucionet, ekspertët, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe median për kontributet dhe sugjerimet e dhëna në procesin konsultues.
/gj.m/a.f/r.e/