E Hënë, 2 Nëntor 2026

IRAN – Udhëheqësi suprem nuk përjashton diplomacinë në mosmarrëveshjen bërthamore

TEHERAN, 16 korrik /ATSH-DPA/- Udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei nuk e ka përjashtuar diplomacinë në sfondin e tensioneve ushtarake dhe mosmarrëveshjes bërthamore.

“Ne kemi të gjitha mjetet e nevojshme, siç janë logjika dhe forca ushtarake”, tha sot 86-vjeçari në një fjalim.

“Prandaj, Irani do të veprojë me vetëbesim dhe forcë, qoftë në fushën e diplomacisë apo të ushtrisë”, shtoi ai.

Sipas një raporti të faqes amerikane të lajmeve “Axios”, SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i kanë dhënë udhëheqjes iraniane një afat deri në fund të gushtit për të arritur një marrëveshje të re bërthamore. Pas kësaj, do të rivendosen sanksione të ashpra të OKB-së.

Qeveria iraniane sinjalizoi së fundmi gatishmërinë e saj për të biseduar, me kusht që të përmbusheshin disa parakushte – duke përfshirë një garanci se Irani nuk do të sulmohet gjatë negociatave dhe njohjen e programit të tij  bërthamor civil.

Para luftës 12-ditore me Izraelin në qershor, Uashingtoni dhe Teherani kanë negociuar për rreth dy muaj mbi programin bërthamor të diskutueshëm të Iranit.

Bisedimet u bllokuan dhe SHBA-ja kërkoi ndalimin e pasurimit të uraniumit nga Irani – një vijë e kuqe për Teheranin.

Perëndimi akuzon Iranin se kërkon të prodhojë armë bërthamore, gjë që qeveria iraniane e ka mohuar.

Teherani shpreson që negociatat do të ndihmojnë, ndër të tjera, në heqjen e sanksioneve të rrepta ekonomike.

Vëzhguesit gjithashtu shohin mundësinë që lufta midis Izraelit dhe Iranit të shpërthejë sërish. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›