E Diel, 1 Nëntor 2026

Keshilli bashkiak voton me konsensus

Anëtarët e këshillit bashkiak të Durrësit miratuan dje, me konsensus, paketën fiskale për vitin 2008. Pas miratimit të disa ndryshimeve të vogla në projektin e ‘Sistemit të taksave dhe tarifave vendore‘ grupet e këshilltarëve aprovuan njëzëri paketën, që do të zbatohet nga subjektet private dhe shtetërore gjatë vitit të ardhshëm. Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se "sipas paketës së re fiskale, subjektet prodhuese do të kenë një taksë 10 përqind më të ulët se vitin 2007, ndërsa subjektet tregtare dhe profesionet e tjera do të taksohen 10 përqind më shumë". Ai shtoi se paketa fiskale është diskutuar gjerësisht me grupet e interesit, duke pësuar edhe disa ndryshime, të cilat synojnë nxitjen e prodhimit. Bashkia e Durrësit parashikon gjithashtu dyfishimin e taksës së reklamave në gjuhë të huaj si dhe unifikimin e taksës së ndërtimit në 3 përqind, pasi numri i ndërtimeve në qendër të qytetit do të ulet ndjeshëm për shkak të mbrojtjes së zonës historike dhe arkeologjike. Rritje prej 25 përqind do të ketë edhe çmimi i territorit të plazheve, që u jepet në përdorim subjekteve private gjatë stinës së verës. Struktura e ngarkuar për vjeljen e taksave dhe tarifave vendore do të jetë departamenti përkatës në bashkinë e Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›