E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI – Katastrofë në Siçili, mbi 500 të evakuuar nga rrëshqitjet masive të dheut

ROMË, 26 janar /ATSH-ANSA/- Autoritetet kanë lëshuar një alarm të ri për rrezik hidrogjeologjik në Siçili.

Pas dëmeve të shumta të shkaktuara nga cikloni “Harry”, i cili shkatërroi bregdetin jonian të ishullit, alarmi është vendosur në Niscemi – një qytet me afërsisht 25 000 banorë në provincën e Caltanissettas, Siçili.

Qyteti u prek nga rrëshqitje të dheut që filluan dje rreth orës 13:00, duke shkaktuar çarje në asfalt, duke bërë që disa banorë të largoheshin.

Rrëshqitjet e dheut thuhet se u përkeqësuan nga shiu i rrëmbyeshëm në Niscemi.

Si masë paraprake, autoritetet e Mbrojtjes Civile kanë urdhëruar evakuimin e afërsisht 500 banorëve në zonat “në rrezik”.

Zona e prekur është midis lagjes “Sante Croci”, rrethit Belvedere dhe zonës që arrin deri në përroin “Benefizio” dhe rrethin “Pirillo”.

Kryetari i bashkisë së Niscemit, Massimiliano Conti, ka urdhëruar mbylljen e shkollave për nesër dhe ka aktivizuar Qendrën e Operacioneve Komunale.

Qyteti aktualisht është i arritshëm vetëm në një drejtim, ndërsa niveli i rrëshqitjeve të dheut ka arritur në 25 metra.

Me urdhër të shefit rajonal të Mbrojtjes Civile, Salvo Cocina, qindra shtretër kampingu po transferohen nga Palermo në sallën sportive “Pio La Torre” për të ngritur strehimore për të evakuuarit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›