E Martë, 3 Nëntor 2026

ITALI – Merz i kërkon Trumpit të qëndrojë me evropianët

ROMË, 10 korrik /ATSH-AFP/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje sot presidentit të SHBA-së Donald Trump të “mbështesë evropianët” në mbështetje të Ukrainës, ndërsa sulmoi Sllovakinë për bllokimin e sanksioneve të reja të BE-së kundër Rusisë.

“Qëndroni me ne dhe me evropianët, ne jemi në të njëjtën linjë dhe kërkojmë një rend politik të qëndrueshëm në këtë botë”, tha Merz në një konferencë në Romë mbi rindërtimin e vendit.

Ai shtoi, duke iu drejtuar Rusisë, se “ne nuk do të dorëzohemi”.

Udhëheqësi gjerman gjithashtu e shfrytëzoi konferencën për t’i kërkuar Sllovakisë të mos vërë veton ndaj paketës së 18-të të sanksioneve kundër Rusisë.

“Ne po përgatisim paketën numër 18. Brenda Bashkimit Evropian, ka vetëm një shtet anëtar që ende nuk ka votuar në favor të sanksioneve kundër Rusisë. I bëj thirrje Sllovakisë dhe kryeministrit të saj të braktisin kundërshtimin e tyre”, tha Merz.

Kryeministri sllovak, Robert Fico po e përdor këtë veto për të ushtruar presion mbi Komisionin Evropian që të garantojë furnizimet me gaz, në një kohë kur BE-ja po kërkon të ndalojë plotësisht importet e gazit rus deri në vitin 2027./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›