ITALI – Referendumet mbi nënshtetësinë dhe ligjin e punës dështojnë për shkak të pjesëmarrjes së ulët

ROMË, 10 qershor /ATSH-DPA/ – Dy referendume mbi imigracionin dhe ligjin e punës kanë dështuar në Itali, pasi pjesëmarrja ra shumë nën 50 përqindshin e kërkuar të popullsisë së kualifikuar pas dy ditësh votimi, një fitore për kryeministren e djathtë, Giorgia Meloni.
Shifrat paraprake nga Ministria e Brendshme italiane treguan se vetëm 29% e votuesve kishin hedhur votën deri në kohën kur qendrat e votimit u mbyllën në orën 13:00 GMT të së hënës.
Referendumet u përqendruan shumë në ligjin e punës, për mbrojtje më të mirë kundër pushimit nga puna, pagesa më të larta për ndërprerjen e punës, heqjen e kontratave me afat të caktuar dhe përgjegjësinë në rast aksidentesh në punë.
Çështja e pestë përfshinte vendimin nëse njerëzit nga vendet jashtë BE-së mund të merrnin shtetësi pas pesë vjetësh.
Aktualisht, kjo zgjat të paktën 10 vjet.
Rezultatet përfundimtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të numërimit.
Sipas shifrave paraprake, kishte shumicë të qartë në favor të masave, por ato nuk do të miratohen për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
Nga 78 referendumet e mbajtura në Itali që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, shumë prej tyre kanë dështuar për shkak të pjesëmarrjes së ulët.
Votimi i fundit u iniciua nga sindikatat dhe opozita e krahut të majtë.
Qeveria e koalicionit të krahut të djathtë nën kryeministren Meloni i këshilloi mbështetësit e saj të mos merrnin pjesë.
Vetë Meloni shkoi në qendrën e saj të votimit, por nuk votoi./ /os/