E Martë, 3 Nëntor 2026

Kallëzimi i gjyqtares Irena Gjoka, Berisha në SPAK: Gënjeshtare në formularin e dekriminalizimit

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, lidhur me kallëzimin e bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Në një prononcim për mediet pas daljes nga SPAK, Berisha tha se “nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë, të cilët këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha”.

“Atëherë është Edi Rama vetë me Gjipenë. Bëhet fjalë për Gjipenë. Ua mori Gjipenë. Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo”, tha Berisha.

Ish-kryeministri tha se gjyqtarja Gjoka është “mashtruese ordinere”.

Berisha tha se ka kërkuar largimin e kësaj gjyqtare nga gjykimi i dosjes së tij për shkak të konfliktit të interesit, teksa rreshtoi dhe argumentat e tij për këtë.

“Me datën 26 tetor 2023, avokatët e mi i kërkojnë të japë dorëheqjen për konflikt interesi meqenëse ajo ishte shkarkuar nga KLD në vitin 1996 me firmën e Sali Berishës. Por, Irena nuk pranoi të japë dorëheqjen sepse tha nuk keni dokument për këtë gjë”, tha Berisha.

“Në dhjetor të vitit 2023, kërkesa e avoketëreve për dorëheqje për konflikt interesi meqenëse ishte e shkarkuar nga KLD në vitin 1996, duke dorëzuar edhe vendimin e KLD, Irena me 5 mbiemra nuk pranoi se ai ishte vendim kolegjial, paçka se kryesohej nga Presidenti i Republikës. Në mars të vitit 2024, gazeta greke Ta Nea boton shkrimin që Irena Gjoka është e dëbuar nga Greqia. Por mediat e PS në kor me në krye Idajet Beqirin dhe Frrok Çupin, shkruajnë se ky shkrim është porositur nga Tirana”, tha Berisha.

“Me 4 mars 2024, KLGJ nxjerr deklaratë të fuqishme në mbrojtje të Irena Gjokës në vend që të hetonte atë”, shton Berisha.

“Në qershor të vitit 2025 del se Irena Gjoka jo vetëm është dëbuar dy herë nga Greqia, por ka dënim penal të formës së prerë, të konvertuar më pas, ka falsifikuar dokumentarin e dekriminalizimit, pasi nuk e ka deklaruar këtë në formular dhe për këtë ka kryer vepër penale. Ka gënjyer në veting për të justifikuar 60 milionë lekë të paligjshme duke paraqitur një kontratë të vitit 1996 mes burrit të saj dhe vëllezërve të saj, dhe duke përmendur në atë kontratë nenet e një kodi civil të miratuar të paktën pothuajse 19 vjet më vonë”, u shpreh Berisha.

“Pra, Irena Gjoka, e cila ka në CV-në e saj një seri veprash penale të rënda, një mashtruese ordinere, një gënjeshtare në formularin e dekriminalizimit, një gjykatëse që duhej të shkonte në burg dhe jo në gjykatë, për shkak se është e dënuar me burg, ndjehet e fyer pse unë i bëj një pyetje publike. Nuk është kjo çështje se Irena dhe Dumani janë si tenxherja dhe kapaku. Janë si binjakë siamezë në moral dhe çdo gjë”, tha Berisha .

“Por këtu është problemi i një sistemi të ngritur nga Edi Rama dhe të keqpërdorur në shkallën me ekstreme. E kuptoni ju edhe njëherë, Irena me 5 mbiemra, me dënime, me dëbime, e mashtrime, delinkuente, konsideron fyerje pyetjen që i unë i bëj” ,përfundoi Berisha.

Berisha është thirrur për të dhënë sqarime në cilësinë e personit që ka dijeni për një çështje në hetim. Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj bëri të ditur dje se bëhet fjalë për një kallëzim që gjyqtarja ka depozituar në emër të kreut të PD-së.

Berisha në deklarata publike e ka akuzuar gjyqtaren se ka 3 mbiemra dhe se është  e përfolur për ryshfete gjysmë milionëshe, jo në një por në disa raste. Sipas Berishës, Gjoka rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga kolegji penal i Janinës, me burg dhe gjobë.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›