IZRAEL – Netanyahu po shqyrton “opsione alternative” për lirimin e pengjeve në Gaza

TEL AVIV, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi grupin palestinez “Hamas” si një “pengesë” për arritjen e një marrëveshjeje, pas një dështimi të ri në negociatat indirekte për armëpushim në luftën në Gaza.
Një marrëveshje armëpushimi do të përfshinte gjithashtu lirimin e pengjeve që mbahen ende nga “Hamas”.
“Së bashku me aleatët tanë amerikanë, po shqyrtojmë opsione alternative për të kthyer pengjet në shtëpi, për të shkatërruar sundimin terrorist të “Hamasit” dhe për të siguruar paqe të qëndrueshme për Izraelin dhe rajonin tonë”, shkroi sot Netanyahu në platformën X.
Sipas burimeve izraelite, në Rripin e Gazës ndodhen ende rreth 50 pengje, dhe mendohet se të paktën 20 prej tyre janë ende gjallë.
Negociatat në Doha në ngërç
Bisedimet për armëpushim në Doha, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, u bllokuan sërish dje.
Sipas burimeve izraelite dhe amerikane, Hamas ka penguar bisedimet duke paraqitur kërkesa të tepruara. Nga ana tjetër, Hamasi shprehu habinë e tij, duke thënë se kishte bërë lëshime së fundmi ndaj Izraelit.
Delegacionet amerikane dhe izraelite janë thirrur në kryeqytetet e tyre për konsultime, sipas raporteve. Megjithatë, nuk dihet nëse dhe kur do të rinisin bisedimet.
Çfarë nënkuptojnë “opsionet alternative”?
Nuk është ende e qartë se çfarë ka nënkuptuar Netanyahu me “opsione alternative”. Asnjëra palë nuk e ka deklaruar zyrtarisht përfundimin e negociatave në Doha, por deklarata e tij mund të jetë një sinjal në atë drejtim.
Gjithashtu, kërcënimi për ndërprerjen e procesit diplomatik dhe për masa më të ashpra ushtarake në Gaza mund të jetë një strategji për të detyruar Hamasin të tërhiqet nga kërkesat e tij. /Ad.Ab./