IZRAEL – Ushtria godet një qendër komande të Hezbollahut në periferitë e Bejrutit

BEJRUT/TEL AVIV, 6 mars /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite njoftoi se ka goditur një qendër komande të lëvizjes Hezbollah gjatë një vale sulmesh ajrore gjatë natës në Bejrut.
Sipas një deklarate të ushtrisë të publikuar sot në mëngjes, gjtatë sulmeve u goditën edhe dhjetë ndërtesa të larta ku ndodheshin infrastruktura ushtarake të përdorura nga milicia. Një tjetër objektiv ishte një depo për dronë.
Nuk ka raportime të menjëhershme për viktima.
Ushtria izraelite u kishte bërë thirrje dje banorëve të periferive të prekura të largoheshin nga zona. Lagjet e goditura konsiderohen bastione të Hezbollahut, i mbështetur nga Irani, por ato janë gjithashtu zona të dendura banimi.
Dëshmitarët thanë se sulmet izraelite vazhduan për disa orë gjatë natës. Banorët konfirmuan se disa ndërtesa janë rrafshuar dhe se rrugët janë mbuluar nga mbeturina të shumta.
Disa banorë u kthyen në mëngjes në lagje për të kontrolluar shtëpitë e tyre.
Ushtria izraelite tha se qendra e komandës që u godit i përkiste këshillit ekzekutiv të Hezbollahut, i cili mbikëqyr aktivitetet politike, organizative dhe sociale të organizatës shiite të mbështetur nga Irani. /Ad.Ab./