E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS- Irani zotohet për sulme më të fuqishme, ndërsa udhëheqja e përkohshme kërkon pasardhësin e Khameneit

TEHERAN, 6 mars /ATSH-DPA/ – Ushtria iraniane ka njoftuar shtrirjen e sulmeve hakmarrëse, pothuajse një javë pas nisjes së luftës.

Sipas televizionit shtetëror iranian, i cili citoi Shtabin Qendror Khatam al-Anbiya, që merr komandën operative të forcave të armatosura gjatë kohës së luftës, në ditët në vijim armiku do të përballet me goditje më intensive dhe më të fuqishme.

Udhëheqja ushtarake iraniane raportoi gjithashtu për sulme me dronë kamikazë ndaj bazës ajrore “Ramat David”  dhe një stacioni radari në Izrael, si edhe ndaj një baze amerikane në Kuvajt dhe në Erbil të Irakut.

Ndërkohë, këshilli i përkohshëm drejtues i Iranit po vijon diskutimet për pasardhësin e udhëheqësit suprem, ajatollahut Ali Khamenei, i cili u vra gjatë sulmeve izraelitoamerikane të së shtunës së kaluar.

Në mbledhjen e katërt të këtij këshilli, presidenti Masoud Pezeshkian, kreu i gjyqësorit Gholam-Hossein Mohseni-Ejei dhe kleriku Alireza Arafi diskutuan thirrjen e një asambleje që do të përcaktojë udhëheqësin e ri suprem, sipas një deklarate qeveritare të publikuar sot.

Këta tre drejtues po administrojnë punët e shtetit që nga vdekja e Khameneit. Këshillit iu zgjeruan kompetencat, duke përfshirë edhe autoritetin për të vendosur për çështjet e luftës dhe paqes, si dhe për të emëruar apo shkarkuar drejtues të ushtrisë dhe policisë.

Sipas kushtetutës së Iranit, Asambleja e Ekspertëve, një organ prej 88 klerikësh, është përgjegjës për zgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem. Megjithatë, ende nuk është e qartë se kur do të mblidhet kjo asamble. Një nga kandidatët e mundshëm për këtë post është djali i tij i dytë më i madh, Mojtaba Khamenei. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›