E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Malaj: Monitorim për uljen e çmimeve nga ulja e TVSH-së, taksë shtesë për apartamentet bosh - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se janë rreth 54 produkte që konsumatorëve shqiptarë do t’u kushtojnë më pak nga janari i 2027-ës, vetëm prej uljes së TVSH-së për ushqimet nga 20%, në 6%.

I ftuar në komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Malaj iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për paketën fiskale, ndërsa siguroi se do të ketë monitorim të shtuar të çmimeve për produktet ushqimore.

Ai theksoi se paralelisht po përdoret edhe teknologjia për të analizuar çmimet nga prodhuesi, importuesi në treg, për të parë çmimet, që të reflektohet TVSH-ja.

“Rritja e TVSH-së standarde mundohet të kompensojë uljen e TVSH-së që ne do të bëjmë për produktet e shportës, dhe nuk e mbulon plotësisht. Rritja e TVSH-së në 21% sjellë 10,6 miliardë lekë në buxhet, dhe nga ulja e TVSH për ushqimet, humbja është 12,8 miliardë lekë”, tha Malaj.

Malaj informoi po ashtu se Qeveria po përgatit ndryshime në ligjin për taksat vendore për të vendosur një taksë shtesë për apartamentet bosh në Tiranë. Masa pritet të prekë rreth 40 mijë prona dhe synon të frenojë informalitetin në tregun e qiradhënies.

“Edhe në ligjin për taksat vendore do të vendosim një taksë për apartamentet që janë bosh dhe do të jetë i detyruar ose ta deklarojë që e jep me qira afatshkurtër, ose do ta deklarojë bosh dhe do të paguajë taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma”, tha Malaj.

Për të identifikuar të ardhurat e padeklaruara, Ministria e Financave po punon për sigurimin e të dhënave nga platformat Airbnb e Booking, si dhe për marrjen automatike të informacionit nga bankat.

“Ne do të kërkojmë informacion automatik nga bankat për të ardhurat që marrin nga këto platforma, por jo vetëm, edhe nga Instagram, Facebook etj. Në momentin që marrim këtë informacion nga bankat, do të jemi në gjendje të kryqëzojmë të ardhurat që marrin këta individë”, tha Malaj.

Ndërsa PD ngriti shqetësimin se bastet sportive vijojnë në informalitet dhe nuk sjellin të ardhura në buxhet, Malaj tha se hapja e tyre online do të presë një tjetër rishikim të ligjit, për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›