E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KQZ miraton formularët për referendumin për parkun "Rinia", PD thirrje opozitës për aksion të përbashkët - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Partia Demokratike i ka bërë thirrje qytetarëve, shoqërisë civile dhe forcave opozitare të bashkohen në mbledhjen e firmave për zhvillimin e një referendumi vendor për parkun “Rinia”, pas miratimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të formularëve për mbledhjen e nënshkrimeve.

Në një deklaratë për mediet nga selia e PD-së, kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, nënkryetari Nikola Kedhi, sekretari për Aksionin Qytetar, Erges Eskiu dhe anëtari i Kryesisë, Dorjan Teliti, e cilësuan vendimin e KQZ-së si një hap konkret në nismën për t’u dhënë qytetarëve të Tiranës të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e hapësirave publike.

Sipas deklaratës së PD-së, nisma për referendumin është ndërmarrë nga përfaqësuesit e saj Jamarbër Malltezi, Dorjan Teliti, Adriana Kalaja dhe Erges Eskiu.

Partia Demokratike thekson se, prej vitesh, kryeqyteti po i nënshtrohet një modeli zhvillimi ku betoni fiton mbi gjelbërimin, kullat mbi hapësirat publike dhe interesat e një pakice mbi nevojat e qindra mijëra qytetarëve.

Sipas saj, Tirana po përballet me probleme që lidhen me trafikun, ndotjen, çmimet e larta të banesave dhe mungesën e hapësirave të gjelbra.

PD thekson se për fatin e parkut “Rinia” duhet të vendosin qytetarët përmes referendumit, të cilin e cilëson si një instrument të drejtpërdrejtë të demokracisë.

Në deklaratë, PD u bën thirrje qytetarëve të Tiranës, organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve dhe çdo force politike që kundërshton betonizimin e kryeqytetit të bashkohet në mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për zhvillimin e referendumit.

PD shprehet e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë faktorët opozitarë, pa përjashtim, për të përshpejtuar mbledhjen e firmave.

Sipas PD, kjo nismë përbën edhe një mundësi për të konkretizuar bashkëpunimin mes forcave opozitare përpara zgjedhjeve vendore.

“Bashkimi provohet në terren, në përballje me pushtetin, në mbrojtje të interesit publik.
Kjo është prova e parë konkretee gatishmërisë për të vendosur interesin qytetar mbi egot politike, llogaritë e vogla dhe protagonizmin personal. Ne nuk kemi nevojë për një opozitë që konkurron se kush bën postimin më të bukur kundër Edi Ramës. Kemi nevojë për një opozitë që bashkon forcat për t’i ndalur vendimet e tij. Nuk kemi nevojë për opozitarizëm fasade, por për aksion qytetar”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

/gj.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›